Merovci: Rugova e kishte opsionin e këmbimit të territoreve Veri i Kosovës-Lugina e Preshevës
Adnan Merovci kishte thënë se Rugova e ka pasur si opsion këmbimin e territoreve, por nuk e ka afirmuar shumë.
Ish-këshilltari i presidentit Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, i cili kujdesej edhe për sigurinë e tij, më 29 nëntor 2013, duke komentuar për mediat vendore deklaratat e Ministrit të atëhershëm të Jashtëm të Serbisë, Ivan Mrkic, sipas të cilit, Rugova e kishte diskutuar opsionin e ndarjes së Kosovës në takime me liderët serbë, kishte konfirmuar për herë të parë se Rugova e mendonte si opsion këmbimin e territoreve me shtetin serb.
Merovci kishte thënë se Rugova e ka pasur si opsion këmbimin e territoreve, por nuk e ka afirmuar shumë.
“Ai ka menduar, shprehur dhe diskutuar ndonjëherë vetëm këmbimin e territoreve. Pra jo ndarjen. Kur themi këmbimin e territoreve ai e ka patur këtë si opsion të mundshëm por nuk e ka afirmuar shumë”, ka thënë ai.
Madje, Merovci kishte dhënë edhe detaje sesi Rugova e kishte menduar këmbimin e territoreve.
“Këmbimin e territoreve Rugova e ka menduar si mundësi të fundit me Serbinë vetëm për tri komunat në veri (Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok) por pa Trepçën dhe Gazivodën në këmbim të luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë). Nuk mbahet në mend ndonjë takim i veçantë ku është biseduar në këtë temë si me vendor ashtu edhe me ndërkombëtar”, kishte thënë Merovci.
Ky ish-zyrtar i LDK-së dhe njeri i afërt me Rugovën kishte mohuar deklarimet e zyrtarëve serbë për takimet e ish-presidentit Rugova me liderët serbë.
Merovci kishte treguar vetëm për një takim që Rugova kishte pasur në vitin 1992 me Kryeministrin e Jugosllavisë, Milan Panic, por jo edhe me Dobrica Qosicin apo Miloshevicin.
“Në vitin 1992 në Konferencën e Londrës për ish Jugosllavinë ku ishte edhe Presidenti Rugova, edhe pse aty ishte Dobrica Qosiçi si president i ish Jugosllavisë dhe Sllobodan Millosheviçi, Rugova u takua vetëm me Milan Paniçin që asokohe ishte kryeministër i ish Jugosllavisë”, kishte thënë Merovci.
Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç nënkryetarit të saj Lutfi Haziri, është munduar gjatë gjithë kësaj kohe që ta demantojë këtë qëndrim të mëhershëm të Rugovës, duke mos e pranuar si qëndrim të tij dhe duke e quajtur vetëm manipulim të presidentit Thaçi.