Lokale
Medvegja hapë fabrikë për dallim nga Bujanoci e Presheva
Komuna e Medvegjës do të punësojë 50 qytetarë të saj në fabrikën e cila është në fazën e fundit të funksionalizimit kur edhe pritet të filloj prodhimi i peletit që përdoret për ngrohje qendrore.
Fabrika e re për prodhimin e peletit do të funksionojë në objektet e fabrikës së vjetër “Termovent” në Medvegjë, rikonstruimin e së cilës e ka financuar EU PROGRESS, Qeveria e Republikës së Sllovenisë si dhe vet komuna e Medvegjës, raporton Titulli.
Sipas kryetarit të komunës së Medvegjës Sllobodan Drashkoviq, në fazën e parë do të punësohen 17 punëtor, numri i përgjithshëm i punëtorëve në fabrikë do të ngritet nga 30 deri në 40 të punësuar. Së bashku me nënkontraktorët do të angazhohen gjithsejtë 50 punëtorë.
Investimi i përgjithshëm në këtë fabrikë do të jetë rreth 1.2 milion euro. Qeveria e Republikës së Sllovenisë do të jetë donatori më i madh me gjithsejtë 400 000 euro, EU PROGRES do të kontribuojë me 90 000 dollarë, komuna e Medvegjës do të japë 10 000 dollarë ndërsa Kuvendi Komunal do të tërheqë kredi me rreth 30 000 000 dinarë për të paguar taksat.
Sipas kryetarit Drashkoviq, nuk do të ketë problem për të furnizuar me dru fabrikën e re pasi rreth 70 për qind e territorit të kësaj komune ka territor malor dhe se dru ka mjaftueshëm.
Ai thotë se edhe plasmani do të sigurohet pasi tani më janë paraqitur blerësit potencial. Kryetari i kësaj komune në të cilën jetojnë qytetarë serb e shqiptar thotë se pas emërimit të drejtorit do të bëhet nënshkrimi i disa kontratave paraprake.
Komuna e Medvegjës për dallim nga ajo e Bujanocit dhe Preshevës ka arritur që përveç stimulimit të ndërmarrjeve me mjete të caktuara, të bëjë edhe hapjen e një fabrike që për 50 familjarë do të siguronte pagë mujore.
Udhëheqësia në Bujanoc dhe Preshevë deri më tani ka ndarë disa herë mjete subvencionuese për bizneset private të cilëve do t’i mundësonte punësimin me kohë të caktuar të punëtorëve, mirëpo ende nuk kanë arrit që të bëjnë diçka më konkrete, si rasti në Medvegjë.
Vlen theksuar se edhe komuna e Bujanocit kishte mundësin të hapte një fabrikë për prodhim të këpucëve me investitorë italian.
Mirëpo, për shkak të situatës, sidomos protestave që mbaheshin në Luginë pas heqjes së pllakës përkujtimore në Preshevë, biznesmeni i huaj vendosi që investimi ta bëjë në një komunë tjetër të Serbisë ku siguria ishte më e madhe./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!