Mbrojtësi i qytetarëve Zoran Pashaliq: Ankesat drejtoni në zyrën në Bujanoc
Mbrojtësi i qytetarëve (Ombudsmani) Zoran Pashaliq gjatë qëndrit të tij në Bujanoc u takua edhe me kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi me të cilin thuhet se ka biseduar për problemin e pasivizimit të vendbanimeve të banorëve shqiptarë në Bujanoc.
“Në takim u diskutua dhe qartësua që nuk mjafton vetëm ndjekja e procedurave administrative para policisë, por që, qytetarët duhet të paraqesin secilin rast individualishtë edhe para gjykatës dhe të nisen procese gjyqësore”, thuhet në shkrimin e publikuar të Kamberit, shkruan Titulli.com.
Ndërsa Zoran Pashaliq u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë probleme të regjistrohen në listat zgjedhore sepse është e drejta e të gjithë qytetarëve dhe të kontaktojnë personalisht zyrën lokale të Mbrojtësit të qytetarëve në Bujanoc sepse sipas tij shpesh përmes zyrës ky problem mund të zgjidhet më shpejt sesa përmes institucioneve të tjera.
“Bashkëpunimi midis zyrës lokale të Mbrojtësit të qytetarëve në Bujanoc dhe autoriteteve lokale në Bujanoc është shumë i mirë, por që gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, duke theksuar se Mbrojtësi i qytetarëve është atje për të përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin midis republikës dhe autoriteteve lokale”, ka thënë mes tjerasha Pashaliq.
Ai qëndroi edhe në zyrën lokale të Mbrojtësit të qytetarëve në Bujanoc (sheshi i Karagjorgjes) duke pritur edhe ankesat e qytetarëve në kuadër të fushatës "Ditët e ombudsmanit"./Titulli.com/