Mbahet Akademi Përkujtimore për Ridvan Qazimin në Bujanoc (foto&video)
Në shtëpinë e Kulturës në Bujanoc është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar Ridvan Qazimit-komandant Lleshit.Familjarë, ish-bashkëluftëtarë, përfaqësues institucional e politik morën pjesë në këtë manifestim I përcjellë me një program të pasur kulturoro artistik, shkruan Titulli.com.
Babai komandant Lleshit, Hisen Qazimi përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për përkrahjen që ja japin familjeve të dëshmorëve dhe nda disa kujtime më të birin tash të ndjerë.
Sali Salihu, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së në Bujanoc foli për rolin e luftëtarëve që kanë dhënë për lirinë kombëtare e në veçanti edhe për komandant Lleshin të cilin e vlerësoi si një arkitekt të lirisë në këtë vend.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha se komandant Lleshi duke dhënë për ne jetën vet u bë i pavdekshëm dhe se duhet vazhduar rrugën e tij.
Akademia përkujtimorë është përcjellë me aktivitet kulturoro artistik dhe recitime të poezisë nga nxënës të shkollës së mesme. Gjatë ditës janë bërë Homazhe tek Lapidari i Ridvan Qazimit Komandant Lleshi dhe Besim Faikut duke vënë kurora lulesh.
Manifestimi “Ditët e Komandant Lleshit” është shoqëruar me aktivitete të ndryshme gjatë këtyre tre ditëve. /Titulli.com/