Lokale
Mal Tërnoci së shpejti me asfalt (video)
Në fshatin Mal Tërnoc të komunës së Bujanocit sot kanë nisur punimet e fazës së parë për përgatitje për asfaltim të rrugës që lidhë këtë vendbanim me qytetin e Bujanocit.
Pushteti lokal si duket ka vendosur që mos të njoh asnjë pengesë për të plotësuar kushtet infrastrukturore qytetarëve të saj.
Ajo sot me ndihmën e makinerinë së kompanisë “Saba Bellça” nga Presheva filloi projektin e radhës, përgatitjen për asfaltim të 3 mijë e 200 metrave edhe atë në fshatin malor Mal Tërnoc.
Banorët kishin dalë në pritje të drejtuesit të komunës së Bujanocit, kryetarit Nagip Arifi, të cilin e falënderuan për mbajtjen e premtimit, derisa Arifi porositi të rinjtë e fshatit se këtë rrugë është duke e ndërtuar për ta.
Banorë u shprehën të kënaqur me investimin duke thënë se rruga do të ndikojë në uljen e shpërnguljes ndërsa do të jetë edhe një arsye më shumë që të shpërngulurit të kthehen në vatrat e tyre, raporton Titulli.
“E falënderojmë pushtetin aktual në krye me kryetarin Nagip Arifi. Privilegj për këtë fshat është numër një rruga”, u shpreh Sadri Sopi, mësues dhe banorë i Mal Tërnocit.
Një falënderim drejtoi edhe banori Sadri Jakupi, mësues në shkollën e fshatit, i cili mes tjerash tha se pas rregullimit të infrastrukturës rrugore rreth 80 për qind e banorëve do të mund të kthehen në vendlindje.
Nga ana tjetër drejtuesi i Drejtoratit për Ndërtim Agim Haliti tha se mbarimi i punimeve me fazën finale asfaltimin do të përfundojë mbas 60 ditëve të punës, ndërsa projekti do të ketë vlerën rreth 27 milionë dinarë.
“Me shtruarjen me asfalt do të krijohen kushte për kthimin e të shpërngulurve me dhunë nga këto fshatra dhe nga mungesa e infrastrukturës rrugore”, u shpreh Haliti.
Në fshati Mal Tërnoc që dikur jetonin mbi 500 banorë sot në te mund të gjeni vetëm 80 prej tyre.
Rrugën ata e shohin si një mundësi të re komunikimi me qendrën në Bujanoc, sidomos në ditët e ftohta të dimrit kur rruga e paasfaltuar dëmtohet shumë nga të reshurat duke u bërë e pakalueshme./Titulli.com/
http://youtu.be/TJ7jEfnCRE0
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!