Lokale
Lugina do të kërkojë nga Beogradi 15 pikat e serbëve të Kosovës
Në bisedimet që pritet të vazhdojnë në mes spektrit politik shqiptarë dhe qeverisë në Beograd, të ndërmjetësuar nga OSBE, liderët e Luginës do të kërkojnë po ato të drejta sa do t’i kenë serbët në veri të Kosovës.
Liderët politik të Luginës së Preshevës mbrëmë në emisionin “Studio e Hapur” të TV Preshevës duke komentuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kanë këmbëngulur se edhe Lugina do të angazhohet përfundimisht për arritjen e shkallës së njëjtë të të drejtave për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë.
Liderët politikë, dy kryetarët e komunave Preshevë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi, kanë thënë se në bisedimet e filluara të përfaqësuesve shqiptar të Luginës me Beogradin dhe ndërmjetësimin e OSBE, do të marrin me vete edhe 15 pikat që i dedikohen serbëve në veri, por si bazë do ta kenë zbatimin e platformës së 14 janarit vitit 2006.
Në emisionin “Studio e Hapur përveç dy kryetarëve të komunave mori pjesë edhe zëvendëskryetari i K. së Preshevës Skender Destani dhe kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar Rahmi Zulfiu.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës bisedimet me përfaqësuesit e Beogradit për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në këtë rajon i kanë filluar pas heqjes së pllakës përkujtimore të UÇPMB-së nga sheshi i Preshevës, transmeton Titulli.
Takimi i fundit në mes të liderëve të Luginës dhe Zoran Stankoviqit që përfaqësonte Beogradin zyrtar, është mbajtur më 25 shkurt të këtij viti.
Në këtë takim pala shqiptare pat dorëzuar një dokument me kërkesat për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në këtë rajon, ndërsa edhe pse pjesëmarrësit në këtë takim patën paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve pas një muaji, ajo nuk është realizuar as tani kur kanë kaluar dy muaj nga takimi i quajtur “përgatitor”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!