Letër e hapur drejtuar Fondit të Kosovës Lindore – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc
Lokale

Letër e hapur drejtuar Fondit të Kosovës Lindore – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc

06.May.2014 11:20
0
Kah po shkon Fondi i Kosovës Lindore?   Shkruan: Bajram Dalipi
Bajram Dalipi

Të flasësh për këtë temë, duke qenë njëri ndër themeluesit e Fondit të Kosovës Lindore, sa është e lehtë, aq edhe e vështirë, duke pasë parasysh faktin se sa duhet të kthehesh në retrospektivë, duke bërë ndërlidhjen me ngjarjet dhe ndodhitë që i japin kah këtij aktiviteti që ne kemi bërë me vite. Të flasësh për veten dhe për kontributin tënd pas kaq shumë vitesh, tingëllon jomodesti, egoizëm e ndoshta jo e duhur për kohën dhe peripecitë me të cilat po përballemi. Por, ndonjëhere ndodhesh në një situatë që kjo është e patjetërsueshme dhe nuk ke derë tjetër, veçse të kërkosh të drejtën tënde, nëse jo të diçkaje tjetër, të mundesh t’vazhdosh kontributin.

Aktiviteti im nuk daton vetëm që nga themelimi i fondit, kontributi im ka qenë i gjithehershëm, para, gjatë dhe pas këtij themelimi. Unifikimi i vendimit të veprimtarëve të pjekur dhe të rryer në kontributdhënie për komb e atdhe, se duhet formuar ky fond për Kosovën Lindore, për mua nuk ishte diçka që duhej përgaditje “profesionale” për t’u gjetë aty ku kishte nevojë, e sidomos për këtë që sapo fola – themelimin e fondit. Në mesin ku veproja, isha gjithmonë i gatshëm të dëgjoja këshilla, t’i pranoja idetë e t’i respektoja urdhërat, të isha konstruktiv e pse jo edhe shumë aktiv, e nga përvoja e madhe në këtë fushë, duke shfrytëzuar këtë përvojë të ipja e të implementoja ide të miat. Isha i pakompromis karshi kurthave e padrejtësive, shantazheve e dallavereve, familjarizmit e provincializmit, nga ana e anëtarëve të kryesisë. Nuk kam lejuar të ecin punët shkarazi, sepse e nesërmja do të na kushtonte, dhe njollosja e gjithë këtyre viteve të aktivitetit ishte e paimagjinueshme, sepse isha pjesë e fondit, sepse isha pjesë e këtij kontributi, dhe njollosja e gjithë kësaj ishte edhe njollosje personale.

Si gjithmonë, aty ku tentohet të punohet me sinqeritet, ka ndërskamca dhe ka sprova, e kjo gjë është gjithmonë e pritshme, mos të them shumë e natyrshme bile. Problemet sa vinin e shtoheshin, derisa vjen një moment që mua më duket e patolerueshme të heshti përballë gjithë kësaj, mbi të gjitha më duket e pandershme, fillimisht për veten time, e pastaj për atë që kishim synim dhe dëshirë që nga fillimi i këtij fondi, e që ishte të ishim të njëtrajtshëm në vlerësim, të drejtë dhe të ndershëm.

Anashkalimi i themeluesit të këtij fondi, nënçmimi dhe përçmimi i tij, janë emëruesi i përbashkët i revoltës dhe reagimit tim që po shkruaj. Fondi menaxhohet nga tre persona, që marrin vendim për gjithçka, ku vendosin e pështjellin me vendimet e tyre, qoftë për shkuarjen në Shqipëri, me ç’rast u takuan me përfaqësues të lartë të shtetit amë, gjithmonë pa e pyetur kryesinë, pa mbajtur fare mbledhje, dhe pa marrë kompromisin e të gjithëve. Personat për të cilët po flas, janë pikërisht: Xhelal Mehmeti, Skender Ismajli dhe Adnan Ymeri. Ajo që vlenë të përmendet është se pasi marrin vendimet, mbajnë mbledhje për të kumtuar vendimet e tyre, e jo për të diskutuar e për të arritur kompromis. Ajo që në realitet ndodh, është që çkado që vendoset nga këta tre persona, qoftë përfaqësimi në vizitë të ndonjë vendi, ose delegimit të tyre në ndonjë aktivitet, marrin pjesë vetëm përfaqësues nga Presheva, e që unë çdoherë kam reaguar që në kuadër të këtij përfaqësimi të delegacioneve ose komisioneve të ketë përfaqësues edhe nga Bujanoci.

Edhe pas debateve që u vendos që këtij delegacioni t’i bashkangjiten përfaqësues nga Bujanoci, pikërisht unë Bajram Dalipi dhe Avdi Ibrahimi, këta tre përfaqësues reaguan se kanë marrë vendim shpejt e shpejt dhe nuk ka mundësi që kjo të ndryshohet. Ajo që e vërteton këtë përfaqësim të njëanshëm është edhe fakti që pas pamundësisë për të shkuar në Shqipëri të Skender Ismajlit, ata ashtu “shpejt e shpejt” e zëvendësuan me një përfaqësues nga Presheva.

Anashkalimet e gabimet vazhduan edhe gjatë takimeve të rëndësishme si mbledhja e Kuvendit, ku propozohen 13 anëtarë e që dy fare nuk ishin pjesëmarrës në Kuvend, e që njëri prej tyre është Salih Salihu. Personalisht nuk doja fare të jem anëtar kryesie, sepse nuk isha i pajtimit me parregullsitë që ndodhnin, por duke e parë se nuk kishim tjetër kandidat potencial, e sidomos pas lutjeve të shumta të Skender Memishit i cili e elaboroi veprimtarinë dhe të kaluarën time, vendosa të jem pjesë e saj.

Pikërisht në këtë kuvend u mor vendimi që të ndërtohen 100 shtëpi për skamnorët që nuk kanë kulm mbi kokë dhe nuk kanë asnjë të ardhur financiare për të zgjidhur këtë problematikë. Në ndërkohë kishte një GALA mbrëmje humanitare në Prishtinë, dhe edhepse ishte marrë qëndrim në këtë kuvend (nga anëtarët e kryesisë) që të mos japim ndonjë shumë financiare në këtë Gala-mbrëmje, unë personalisht me vetëdëshirë dhurova 1300 franga.

Parregullsia e rradhës vie më 13 nëntorë, 2013, në mbledhjen e rradhës, Xhelal Mehmeti – kryetar, Ahmet Bektashi – nënkryetar, Adnan Ymeri – sekretar, Skender Ismajli – arkatar, kishin marrë vendim para se të mbahej mbledhja dhe kishin vendosë gjithçka. Kishin vendosur që të hapin dy zyre, një në Bujanoc e një në Preshevë, normalisht duke i emëruar njerëzit e vet aty (familjarizëm hesapi). Kështu, ishte zgjedhur vëllai i sekretarit për Preshevë, e për Bujanoc kushëriri i nënkryetarit. Pastaj, gjoja se paska shumë punë, kanë vendosur të emërojnë edhe nga një zëvendës në këto zyre, gjithashtu duke i marrë të afërmit e vet. Reagova sërish duke ju thënë se nëse i paguani këta njerëz prej xhepit tuaj, vendosni në ato pozita kë të doni, por nga paratë e fondit kjo është e patolerueshme dhe nuk vie në shprehje kjo “përzgjedhje”.

Më 15.12.2013, u mbajt mbledhja e fundit për vitin 2013. Gjithçka shkoi në rregull, deri kur u propozua të formoheshin komisionet, me ç’rast lindën mosmarrëveshje rreth të propozuarve për këto komisione. Kryetari për Bujanoc propozon Ahmet Bektashin dhe kushëririn e tij, Selman Bektashin, kurse unë, aktivisti shumëvjeçar, anashkalohem pa të keq, që në fakt isha ndër kontribuesit më të mëdhenj humanitar, me mbi 20 000 franga të dhuruara. Reagova sërish, se si ka mundësi të propozohen dy persona nga një shtëpi. Për kryetar komisioni zgjedhet Ahmet Bektashi, një anëtar që kishte ardhur para tre muajve në Fond, me të vërtetë “interesante”. Pas reagimit tim, u vendos që edhe unë të jem anëtar komisioni, d.m.th. Ahmet Bektashi kryetar, kushëriri i tij, Selman Bektashi, dhe unë, Bajram Dalipi.

Më 17.12.2013, grupi i famshëm vendosin të thërrasin mbledhjen e rradhës më 21.12.2013, për të kërkuar votëbesimin e kryesisë për Bajram Dalipin. Unë kisha lajmëruar paraprakisht se më datën 18.12.2013 do të udhëtoja për vendlindje, ku kisha arsyet e mia personale e familjare dhe ishte udhëtim i patjetërsueshëm. Në datën e mbledhjes që përmenda,

ata e mbajnë atë-mbledhjen, e mezi që presin të mos jem prezent dhe në mungesë timen, më largojnë edhe nga kryesia (apo thënë më lehtë – të suspendohem, që komisioni ta “kryen punën e vet”) gjoja se Bajram Dalipi po i pengon proceset e punës. E në fakt, qëllimi kryesor ka qenë të mos jem as anëtar komisioni e le më kryetar i tij.

Të gjitha këto që i thash, janë të pakta, por kjo kryesi fillimin e dështimit e ka pasur me ardhjen e Adnan Ymerit, kurse me ardhjen e Ahmet Bektashit, ka arritur kulmin e dështimit.

Nuk mund të mos e përmend, “aktivitetin” e këtij Komisioni, sepse nuk ka bërë kurrfar vlerësimi në terren për ndërtimin e shtëpive të nevojtarëve. Më duhet të theksoj shembujt konkret, si Rabit Maliqi, i cili nuk ka mundësi të jetojë në shtëpinë e tij në Bujanoc, sepse nuk ka kushte minimalistike për të jetuar aty, e i cili ka ikur në Gjilan (shet cigare nëpër rrugët e Gjilanit) dhe bartet herë në një shtëpi, e herë në një tjetër, me pak fjalë – kush i bën konak. Tjetër person që është anashkaluar e që është meritor për zgjatjen e dorës nga ky fond, është edhe Komandant Shpendi (sigurisht e dini kush është komandant Shpendi), pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, kurse vëllai i tij, pjesëmarrës i luftës së UÇPMB-së. E një rast tjetër edhe më nevojtar, është se në Konçul, familja Zahiri, 5 vëllezër, e 3 prej tyre pjesëmarrës në luftën e UÇPMB-së, jetojnë në një shtëpi. Këto janë vetëm disa prej rasteve, që nuk kanë kaluar fare në “sitën” e këtij komisioni, që nuk janë marrë fare parasysh!

Duke pasë parasysh gjithë këtë rrugëtim padrejtësishë, kam pritur gjatë duke shpresuar se gjërat do të rregullohen, mirëpo gjithçka është rrotulluar në rreth vicioz, deri më edhe me largimin tim nga kryesia, pavarësisht që kërkesa ime ka qenë që puna të jetë e përbashkët, sepse gjërat produktive vijnë kur punohet në grup. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer dhe i dëshpëruar me gjithë këto që i përmenda, sepse qëllimi, ideali jonë që nga themelimi i fondit dhe çdo aktivitet tjetër i bërë nga mërgimtarët, ka qenë dhënia e kontributit për vendin dhe njerëzit tanë, duke u munduar t’ua lehtësojmë jetën, brengat, vështirësitë, me aq sa ne kemi pasur mundësi. Ne kemi pasë mallin për vendlindje, e ata nevojën financiare në këtë gjendje të katandisur të komunave të Kosovës Lindore, e kështu jemi munduar t’i balancojmë hallet e mërzitë, duke ju gjetur njëri-tjetrit, duke shtuar më shumë afërsinë, e duke mbajtur lidhjet fillimisht ato familjare, pastaj shoqërore, e në fund lidhjet njerëzore, sepse për këtë jemi krijuar – të jemi për njëri-tjetrin!

Bajram Dalipi, ish-anëtar i kryesisë së Fondit për Kosovën Lindore

Cyrih, 04.5.2014
"Problemet e shqiptarëve të Luginës do të zgjidhen gjithnjë në koordinim me SHBA-të" (foto)
Bujanocasja nga Zvicra, "Zemër ciao" (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration