Kërkohen sqarime nga stacionet policore për vendbanimet në Luginë
Këshilli Kombëtar Shqiptar duke u thirrur në Ligjin për qasje në informacionin të rëndësisë publike ka kërkuar nga Ministria e punëve të brendshme, përkatësisht Stacioni policor në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë sikur edhe Administrata Policore në Vranjë dhe Leskoc informacion rreth pasivizimit të vendbanimeve të qytetarëve shqiptar të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.“Kësisoj nga përgjigjet e dhëna nga MUP-i, shihet qartë që vetëm në komunën e Preshevës dhe Bujanocit për vitin 2014 i është pasivizuar 132 qytetarëve e drejta vendbanimit duke u thirrur në Ligjin mbi vendbanimet dhe vendqëndrimet, si dhe 124 pasivizime gjatë vitit 2013. Ndërkaq, veprimet nuk po ndalen”, thuhet në kumtesën e KKSH-së.
Sipas kësaj kumtese Ministria e punëve të brendshme e Republikës së Serbisë në këtë drejtim duke vepruar në heshtje nëpërmjet Ligjit mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin, në mënyrë arbitrare qytetarëve shqiptar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja po i a mohon të drejtën ekzistuese të vendbanimit.
KKSH konsideron se veprimet e këtilla të Ministrisë së punëve të brendshme janë të papranueshme sepse të njëjtat janë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Këshilli Kombëtar Shqiptar gjykon zbatimin selektiv të ligjeve ndaj qytetarëve shqiptar, andaj në anën tjetër fton të gjithë përfaqësuesit politik të mobilizohen për të shqyrtuar këtë çështje shqetësuese për shqiptarët e Luginës së Preshevës sepse me pasivizimin e vendbanimit të qytetarëve të këtij rajoni i mohohen edhe të drejtat tjera elementare, siç është edhe e drejta për të votuar.
“Gjithashtu, KKSH bën me dije se ndërrimi artificial i strukturës së popullsisë në Luginën e Preshevës është antikushtetues dhe bie ndesh me konventat ndërkombëtare.Me qëllim të parandalimit të këtij problemi, KKSH do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë e veta që shkeljet e këtilla ti parandaloj dhe denoncoj në të gjitha institucionet më të larta të vendit dhe ndërkombëtare”, shkruhet në kumtesën e lëshuar nga KKSH./Titulli.com/