Kurti thotë se angazhohet për reciprocitet të të drejtave të shqiptarëve në Luginë
Lokale

Kurti thotë se angazhohet për reciprocitet të të drejtave të shqiptarëve në Luginë

12.Dec.2021 08:08
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin.

Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Arifi e falënderoi Kurtin dhe Qeverinë e Kosovës për buxhetimin e 2 milionë eurove për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

‘E kemi mirëpritur ndarjen e këtyre mjeteve edhe për faktin që për herë të parë jemi bërë pjesë e buxhetit të Kosovës”, tha Arifi, duke shprehur shpresën se kjo shumë do të rritet vit pas viti.

Në takim u diskutua për problemet me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë dhe Arifi shprehu shqetësimin për vazhdimin e shlyerjes së tyre nga regjistri civil.

“Në Serbi ekziston ligji për shlyerjen e qytetarëve nga regjistri civil nëse nuk banojnë në adresat të cilat i kanë të paraqitura, por kjo shlyerje apo pasivizim, po ndodh në mënyrë selektive dhe nga kjo më së shumti pësojnë qytetarët shqiptarë. Për ne ky veprim i politikës serbe paraqet tendencë për ndryshimin demografik të komunave me shumicë shqiptare”, tha Arifi.

Teksa u shpreh mirënjohës për subvencionimin nga Qeveria të specializantëve që deri më tani ishin me vetëfinancim, Arifi theksoi problemin e mosnjohjes nga Serbia të diplomave të Kosovës, që po e pamundëson punësimin e të diplomuarve dhe po nxit migrimin e profesionistëve në vendet perëndimore.

Kurti tha se në takimet që ka pasur në Bruksel me palën serbe, por edhe në të gjitha takimet e konferencat ndërkombëtare vazhdimisht e rithekson se për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë, duhet të zbatohet reciprociteti i të drejtave të minoriteteve në shtetet e rajonit dhe me çështjen e diplomave, certifikatave, patent shoferëve e lejenjoftimeve është duke u insistuar në Bruksel, por Serbia vazhdon të refuzojë të njohë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe për të ndihmuar banorët shqiptarë, dhe kërkoi nga liderët shqiptarë që t’i koordinojnë dhe t’i bashkërendojnë veprimet politike.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, z. Hydajet Hyseni e z. Avni Dehari, dhe babai i aktivistit të vrarë të LVV-së, Arben Xheladini, z. Shaban Xheladini.

Takimi me z. Nagip Arifi është vazhdimësi e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve

Arifi pritet në Prishtinë nga Albin Kurti
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration