Kosovë-Serbi, tjetër pikë kufitare në Medvegjë (video)
Kosova dhe Serbia pritet që së shpejti të kenë edhe një pikëkalim kufitar, në vendin e qujtur Kapi e Sfircës. Nisma që është ndërmarrë nga Komuna e Kamenicës në lindje të Kosovës, e mbështetur edhe nga Komuna e Medvegjës që ndodhet në pjesën e Serbisë, por ku jetojnë qindra shqiptarë, tashmë ka marrë përkrahje nga ekipet e të dyja shteteve në bisedime.“Së shpejti presim që të merret edhe vendimi përfundimtar për hapjen e vendkalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, me iniciativë të Komunës së Kamenicës, e mbështetur pastaj edhe nga Komuna e Medvegjës. Kemi pasur takime me zonjën Edita Tahiri e cila këtë çështje e ka ngritur në nivel të bisedimeve teknike me Qeverinë e Serbisë dhe informacionet që i kemi janë se eksizton pajtueshmëri e plotë që këtu të hapet pikëkalimi kufitar”, thotë nën kryetari i Komunës së Kamenicës, Fatmir Matoshi. Në ekipin kosovar të bisedimeve e kanë konfirmuar marrjen e kërkesës për të dialoguar në Bruksel për hapjen e këtij pikëkalimi kufitar. Visar Xani, këshilltar politik i kryenegociatores kosovare Edita Tahiri, ka thënë për Top Channel se në raundet e ardhshme pritet të diskutohet kjo temë dhe sipas tij e njëjta pritet të gjejë mbështetjen e palëve për tu realizuar shumë shpejt. “Ne faktikisht e kemi njoftuar Bahkimin Evropian gjatë takimeve që kishim në Bruksel. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e ka paraqitur këtë njoftim dhe në parim është mirëpritur nga të gjitha palët dhe ka mbetur që në raundet e ardhshme kjo kërkesë të negociohet ose diskutohet”, deklaron Visar Xani, këshilltar politik. Pikërisht në këtë vend që quhet kapi, pritet të ndërtohet pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, nëse për këtë çështje pajtohen pala kosovare dhe ajo serbe në bisedimet në Bruksel. Në zonën pas kufirit është komuna e Medvegjës ku jetojnë rreth 500 shqiptarë ngase qindra dhe mijëra të tjerë janë shpërngulur pikërisht për shkak të mungesës së rrugës dhe mundësisë së komunikimit me pjesën tjetër të Kosovës. Në këtë vend, shumë shpesh qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga xhandarmëria serbe për shkak se nuk e kanë njohur si terren dhe janë konsideruar si shkelës të kufirit”. / Titulli.com/