Kosova e gatshme të ndihmojë Luginën në fushën e arsimit
Një delegacion i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), i drejtuar nga kryetari Jonuz Musliu dje realizoi një takim në Prishtinë me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami.Kryetari, Musliu paraqiti para ministrit gjendjen e arsimit në Luginën e Preshevës të cilën e cilësoi po me “të njëjtën gjendje të arsimit në Kosovë gjatë viteve 90-ta në shumë aspekte”.
“Presim me padurim që bashkëpunimi ynë tashmë institucional të ngrihet në një nivel rajonal me rezultate konkrete, patur parasysh që Kosova është faktor tashmë i rëndësishëm i Ballkanit dhe si shtet që po dialogun në Bruksel me Beogradin e ka fuqinë e mjaftueshme për ti dhënë krah edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës” theksoi Musliu.
Ministri Bajrami mirëpriti delegacionin nga Lugina e Preshevës duke shpreh gatishmërinë për të ndihmuar arsimin në këtë rajon.
Këshilli Kombëtar Shqiptar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës kërkoi që në dialogun Kosovë – Serbi të bisedohet për problemet e arsimit në gjuhën shqipe për shkollat fillore dhe të mesme në Luginë të Preshevës, të arrihet marrëveshje e përhershme për përdorimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe për mësimin parashkollorë, fillorë dhe të mesëm në Luginën e Preshevës, trajnim profesional të kuadrit arsimor, në radhë të parë për historinë, kulturën dhe traditat shqiptare (Trajnim për arsimtarët e mësimit klasorë dhe lëndorë për shkollat fillore e të mesme), në dialogun Kosovë-Serbi te kërkohet njohja e diplomave nga shteti Serb, të lëshuara nga Universitetet e Kosovës konform standardeve evropiane për arsim sipas Deklaratës së Bolonjës, thuhet në kumtesën e lëshuar nga KKSH.
Këshilli Kombëtar Shqiptar përmes kumtesës njoftoi se zgjedhja e aplikuar nga SPARK-u nuk ka prodhuar efektet e dëshirueshme, për më tepër marrëveshja mbi akreditimin e këtyre Diplomave nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë është anuluar si “kundër kushtetuese dhe antiligjore.
Nga Ministria e Arsimit të ë Kosovës sa më parë të jetë e mundur të organizoi programin e AKM (Aftësimi i kuadrove të mësimdhënies) edhe në Preshevë gjithashtu është kërkuar edhe të sigurohen nga katër ekzemplarë të teksteve mësimore për lëndët e shkollave fillore dhe të mesme që mësojnë nxënësit në Kosovë ku pastaj do t’i dërgohen për miratim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik në Beograd./Titulli.com/
Vlen të theksohet se gjatë takimit përveç tjerash u kërkua nga Ministri Bajrami ta vizitoi Luginën e Preshevës me ç`rast ai premtoi se në një të ardhme të afërt do ta realizoi.