Shaqiri: Shifrat e pasivizimit në Luginë vazhdimisht në rritje, duhet ndalur padrejtësitë
Linda Shaqiri nga Këshilli Organizativ Kombëtar Shqiptar për Kosovën ka thënë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës është vazhdimisht në rritje.
Shaqiri në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se Medvegja është prekur më së rëndi nga pasivimi, ndërsa tha se nuk janë më mirë as Bujanoci e Presheva. Ajo ka thënë se Serbia po bën spastrim etnik në formë administrative.
“Kjo edhe ishte motoja që sot në Prishtinë protestuam, për t’i thënë stop padrejtësive që po bëhen në këto troje, stop pasivizimit e për të kërkuar reciprocitet që s’ka ndodhur asnjëherë”, tha Shaqiri.
Ajo ka thënë se shifrat e pasivizimit janë alarmante.
“Pasivizimi të bën si një lloj turisti në vendin tënd. Nuk ke asnjë të drejtë. Qëllimi kryesor është spastrimi etnik. Spastrimi i heshtur me forma tjera, jo me armë, pushkë apo luftë. Por, edhe kjo është një formë lufte në mënyrë të heshtur. Të jesh i pasivizuar do të thotë të jesh e të mos jesh në vendin tënd. Nuk ke asnjë të drejtë, asnjë dokumentacion, nuk je në regjistër civil, s’ke të drejtë vote, s’je qytetar i atij vendi. Mbetet vetëm nënshtetësia, por jo edhe shtetësia”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri ka thënë se shumica e qytetarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë janë të pasivizuar. Ajo ka thënë se ata jetojnë në Kosovë, por edhe në Kosovë nuk janë të pajisur me dokumente.
Shaqiri thotë se duhet spektri politik të merret me këtë çështje.
“Kam thënë dhe e them se një pjesë të fajit ia lë politikës sonë shqiptare. Është obligim kushtetues, sidomos nga shteti shqiptar që t’i mbrojë të drejtat e liritë e shqiptarëve në Serbi”, tha Shaqiri.
Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.2 milionë euro mjete për Luginën, porse nuk e di se ku kanë shkuar ato mjete.
“Është ndarë fond i mjeteve financiare, por nuk shihet se ku kanë shkuar. U janë ndarë disa OJQ-ve. Unë jam qytetare e Medvegjës, është mjerim e zhgënjyese dhe për keqardhje gjendja e popullatës që jeton atje. Nuk ka infrastrukturë rrugore, s’ka të drejta themelore për të jetuar. As liritë s’i gëzojnë. Andaj pyes ku shkuan mjetet”, thotë Shaqiri.
Ajo beson se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është dashur të jetë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
“S’mund të jetë temë tjetër çështja e shqiptarëve që jetojnë në Luginë. Serbët e Kosovës që jetojnë në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, si shkollim, punësim e gjitha fushat. E shqiptarët që jetojnë në Luginë janë të nënpërfaqësuar në institucione publike. S’kemi kurrfarë rezultati”, ka thënë Shaqiri.
Ajo ka thënë se shpreson që do të zbatohen marrëveshjet e fundit të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë ajo e njohjes së diplomave.
Shaqiri ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, ka ndikuar edhe në sigurinë e shqiptarëve në Luginë.