Komuna e Bujanocit thirrje qytetarëve: Mirëkuptim dhe rrespektoni masat
Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi përmes një shkrimi ka kërkuar rrespektimin e masava të marra nga shtabi për situata të jashtëzakonshme të cilat do të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së pandemisë të koronavirusit të ri Covid-19.
Ky është postimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë të komunës së Bujanocit,
Në bazë të raportit të Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc mbi gjendjen epidemiologjike në territorin e komunës së Bujanocit si dhe të raportit të Drejtoratit për Punë të Inspeksionit mbi ekzekutimin e kontrollit ndaj respektimit të zbatimit të masave mbrojtëse nga ana e qytetarëve dhe nga të gjithë punëdhënësit në territorin e komunës së Bujanocit, është konstatuar se situata është kritike, nga dita në ditë është duke u shtuar numri i vizitave mjekësore në Ambulancën Covid – 19, dhe me këtë edhe numri i të sëmurëve, si dhe masat e ndërmarra mbrojtëse nuk janë duke u respektuar në masë të duhur.
Vetëm deri më datën 28.07.2020 numri i të infektuarëve ka arritur në 122, kurse rreth 90 persona në ditë po kryejnë çdo ditë analizat.
Duke marrë parasysh raportet e sipërshënuara, shtabi për situata të jashtëzakonshme i kryesuar nga unë, kemi vendosur për masa të reja kufizuese me qëllim të parandalimit të përhapjes së epidemisë Covid 19, me ç’rast kemi kufizuar orarin e punës për objektet hoteliere dhe klubet e natës, ashtu që këto lokale nuk do të ofrojnë shërbime nga ora 21:00 deri në ora 06:00 të ditës vijuese, deri në një afat të caktuar kur të kemi gjendje të përmirësuar.
E kuptoj brengën e pronarëve të lokaleve hoteliere, e sidomos në këtë kohë vere kur pritshmëritë për maksimizim të fitimit janë të mëdha, por në anën tjetër ndjejmë obligim moral që në rend të parë të vendosim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, andaj shpresoj në mirëkuptimin e të gjithë pronarëve të këtyre lokale, dhe ftoj të gjithë qytetarët e komunës sonë që të respektojnë masat e ndërmarra nga shtabi për situata të jashtëzakonshme.
Uroj që pandemia Covid 19 të kalojë sa më shpejt dhe pa pasoja në njerëz!
Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit dhe komandant i shtabit për situata të jashtëzakonshme