Lokale
Kolona në Konçul, mbi 5 orë pritje
Më shumë se 5 orë po ju duhen qytetarëve për ta kaluar kufirin Kosovë-Serbi. Kolona të gjata të automjeteve janë bërë në të dy anët e kufirit në Konçul (Dheu i Bardhë) dhe në Merdare.
Qarkullimi i automjeteve po shkon shumë ngadalë, e nganjëherë qytetarët e padurueshëm lëvizin nga njëra në tjetrën pikë kufitare duke tentuar të kalojnë më shpejt kufirin.
Vozitësit e automjeteve që ndodhen në kolonë i kanë deklaruar Indeksonline përmes telefonit se për ta kaluar kufirin Kosovë-Serbi duhet të presin më shume se 5 orë, sidomos për të hyrë në Serbi nga drejtimi i Kosovës.
Gjendja në këto momente nuk është e mirë as në pikalimin kufitar në Merdare, pikë kjo më e frekuentuar nga qytetarët.
Kapiten Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë se kolonat e gjata në Merdare janë krijuar si pasojë e disa autobusëve të cilët e kanë lëshuar Kosovën e që janë vonuar për tu kontrolluar nga policia serbe.
Gjendja më e vështirësuar është në Konçul, ndërsa Kelani thotë se disa qytetarë i kanë deklaruar Policisë Kufitare se autoritetet serbe nuk po angazhohen sa duhet për t’i mënjanuar pritjet e gjata./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!