Lokale
KDNJ: Mos i shkelni të drejtat e punëtorëve
Këshilli për të Drejtat e Njeriut me seli në Preshevë kërkon nga inspektoratet dhe organet e tjera përgjegjëse shtetërore, që të ndërhyjnë në rastet, në rritje e sipër, të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, nga ana e punëdhënësve të sektorit publik dhe privat; në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
KDNJ vlerëson, para së gjithash, se punësimi i bazuar në kriteret etnike e partiake në sektorin publik, paraqet jo vetëm shkelje ligjore, por thellon padrejtësitë dhe pabarazitë sociale, duke përkeqësuar njëkohësisht gjendjen e sektorit të punësimit dhe duke thelluar diskriminimin shoqëror.
"Përderisa në sektorin publik të administruar nga organet rajonale dhe republikane vazhdon nën-përfaqësimi i thellë i komuniteteve joserbe; në organet e administruara nga organet e nivelit lokal, thellohet çdo ditë e më tepër diskriminimi në të drejtën për punësim dhe diskriminimi i punëtorëve ekzistues", thuhet në kumtesën e KDNJ-së.
Sipas këtij Këshilli, gjatë këtij viti, numri i ankesave ka shënuar rritje lidhur me shkeljen e mundshme të procedurave ligjore në punësim në të gjitha nivelet të sektorit publik. Shkeljet e procedurave të konkursit për punësim, të garantuara me ligj, si dhe largimet e paligjshme nga puna, paraqesin shkelje drastike të të drejtave të njeriut.
Në Preshevë dhe Bujanoc, qytetarët ankohen për diskriminim dhe shkelje të procedurave ligjore të konkursit duke denoncuar sipas tyre punësime të paligjshme, në sektorin e administratave komunale, veçmas në Shtëpitë e Shëndetit dhe nëpër entet parashkollore, shkollat fillore dhe të mesme.
"Mbase edhe në raste të kthimit në punë, pas largimeve joligjore, të konstatuara nga organet e drejtësisë; punëtorët mbeten pa kompensime financiare dhe pa mbulimin e kontributeve, nga ana e punëdhënësit, të cilët i ka detyrim ligjor, siç edhe e ilustron rasti i fundit, me punëtorët e larguar mëhershëm nga Drejtoria për Ndërtim në Bujanoc. Së fundi, dyshohet se 17 punëtorëve u janë shkelur të drejtat e tyre nga ana e Drejtorisë për Ndërtim në Komunën e Bujanocit, të drejta që janë të parapara me ligjin mbi marrëdhënien e punës. Sipas konstatimit të Gjykatës së Apelit në Nish, kontrata e punës në kohë të pacaktuar i është shkëputur në mënyrë kundërligjore, në gjithsejt tetë raste. Edhe pse sipas këtij vendimit të plotëfuqishëm dhe të ekzekutueshëm të gjykatës, punëdhënësi është i obliguar që t’i kthejë në marrëdhënie pune të përhershme, sipas palëve të përfshira, ndërmarrja publike nuk e ka zbatuar ende atë detyrim ligjor", thuhet në kumtesën e KDNJ-së të lëshuar me rastin e -1 Majit - Ditës së Punëtorëve.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut mëtej thekson se në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; shumëzohen gjithashtu përjashtimet arbitrare nga puna, dënimet e paligjshme me të holla nga ana e punëdhënësve, si dhe hiqet padrejtësisht stimulimi i punëtorëve, në kundërshtim të plotë me normat ligjore për marrëdhënien e punës.
"Në sektorin privat, të drejtat e punëtorëve shkilen po ashtu vazhdimisht nga ana e punëdhënësve, të cilët jo vetëm që nuk i zyrtarizojnë dhe legalizojnë punëtorët e tyre, duke i privuar nga të drejtat e tyre të garantuara me ligj, por edhe i shantazhojnë me largime nga puna dhe zvogëlime të pagës së tyre, duke i detyruar ata që të kryejnë punë që janë jashtë angazhimeve të tyre të punës, të përcaktuara fillimisht nga punëdhënësi i tyre".
Këshilli për të Drejtat e Njeriut kërkon nga organet përgjegjëse shtetërore që t’i zbatojnë detyrimet e tyre ligjore ndaj këtyre shkeljeve të të drejtave të punëtorëve dhe të mos bëhen bashkëpërgjegjëse ndaj këtyre shkeljeve drastike të të drejtave të njeriut, të garantuara me legjislacionin vendor dhe konventat ndërkombëtare. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!