KBI: Jemi angazhuar që të kthehet vakëfi, avokati Ejup Kamberi po lëshon akuza të rënda Xhamia në qendër të Preshevës
Lokale

KBI: Jemi angazhuar që të kthehet vakëfi, avokati Ejup Kamberi po lëshon akuza të rënda

05.Nov.2015 16:18
0
"Më datë 04.11.2015 avokati nga Presheva Ejup Kamberi lëshoi një akuzë të rëndë në drejtim të Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë dhe veçanërisht kundër kryetarit të këtij institucioni fetar , Fikret ef. Limanit", kështu nisë reagimi i KBI-së në Preshevë.

Për hir të së vërtetës , jemi të detyruar që ndaj këtyre akuzave të shpifura të reagojmë me gjuhën dhe forcën e argumenteve , para së gjithash për ta shfaqur të vërtetën në shesh dhe për ta demaskuar qëllimin jo të mirë të avokatit në fjalë.

Në fakt , Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevë duke ditur rëndësinë dhe pozitën që ka Vakëfi në Islam , qysh në vitin 2005 ngriti iniciativën për rikthimin e pronës së vakëfit të këtij Këshilli që gjendet në rrugën “Ramiz Sadiku” nr. 2 në parcelën kadastrale 3436 të PL. Nr. 3586 për K.K. Preshevë me hapësirë 177 m2 në qytetin e Preshevës në vendin e quajtur “Duqani” dhe atë nëpërmes aktpadisë së ngritur ndaj Ndërmarrjes tregtare “Bratstvo” të Preshevës në Gjykatën themelore në Preshevë. Më vonë nga ana e kësaj Gjykate kjo aktpadi u zgjerua edhe me përfshirjen e Komunës së Preshevës në këtë lëndë.

Avokati Ejup Kamberi nga Presheva kishte marrë autorizimin nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevë ekskluzivisht për përfaqësimin e këtij institucioni fetar lidhur me kthimin e lokalit të vakëfit në pronësi të tij , meqenëse ajo shumë vite më parë iu kishte marrë padrejtësisht në emër të nacionalizimit të pronave në kohën e sistemit monist.

Gjatë kësaj procedure gjyqësore disa vjeçare Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevë vazhdimisht është angazhuar  që t’i kthehet prona e vakëfit e assesi që kompensimi t’i bëhet me mjete materiale.

Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë të mbajtur më datë 27.04.2015 , veç tjerash kryetari i këtij Këshilli informoi anëtarët prezentë se  , “në seancën gjyqësore të mbajtur më datë 23.04.2015 në Gjykatën e lartë në Vrajë lidhur me lëndën P.nr. 52/10 e që ka të bëjë për angazhimin permanent të këtij institucioni fetar për kthimin e pronës së vakëfit , ai nga gjyqtarja e këtij rasti ishte njoftuar se lokali i vakëfit patjetër duhet të kthehet prapë në pronësi të Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë.

Një gjë të tillë e vërteton aktgjykimi i Gjykatës komunale në Preshevë të mbajtur më datë: 09.05.2006 ,të P.nr. 252/05  në shqyrtimin kryesor të udhëhequr nga gjykatësi Haki Shaqiri si kryesues i Këshillit gjyqësor dhe gjykatësve porotë Nikoliq Srbin dhe Ismet Ismaili si anëtarë të këtij Këshilli gjyqësor në këtë lëndë gjyqësore të paditësit Këshilli i Bashkësisë së fesë Islame në Preshevë të cilin e përfaqëson avokati Ejup Kamberi nga Presheva ,ndaj Komunës Preshevë si e paditur , të cilën e përfaqëson avokati publik komunal nga Presheva dhe Ndërmarrjes tregtare “Bratstvo” nga Presheva të cilën e përfaqëson avokati Zoran Stojanoviq lidhur me përcaktimin e së drejtës në pronë , e që kishte sjellë  AKTGJYKIMIN  me të cilën përcaktohet (vendimi gjyqësor) dhe njëherësh iu bëhet e ditur të paditurës Komunës së Preshevës dhe Ndërmarrjes tregtare “Bratstvo” nga Presheva që paditësi , Këshilli i Bashkësisë së fesë Islame në Preshevë , është pronar i parcelës kadastrale nr. 3436 në vendin e quajtur “Duqani” , nën ndërtesën e banimit  në hapësirë prej 177 m2 në rrugën “Ramiz Sadiku” nr. 2 e që udhëhiqet sipas PL.nr. 3586 për K.K. Preshevë dhe me këtë iu REKOMANDOHET të paditurve që këtë të drejtë t’ia pranojnë paditësit (Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë) dhe të njëjtat (ky aktgjykim) i obligon që  t’ia japin në pronësi dhe në shfrytëzim në emër të marrjes së parcelës kadastrale në të cilën kanë qenë lokalet afariste dhe që në të njëjtën (parcelë) pas rrënimit është ndërtuar rishtazi lokal afarist të cilën e shfrytëzon e paditura e dytë (Bratstvo) dhe që e njëjta të regjistrohet në emër të paditësit (Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë) te Shërbimi  kadastral të patundshmërisë në Preshevë.”

Lidhur me këtë AKTVENDIM gjyqësor avokati Ejup Kamberi ka qenë dashur ta iniciojë jetësimin sa më shpejtë të këtij aktvendimi të Gjykatës themelore në Preshevë  , ndërsa ai e ka mbajtur fshehurazi këtë , ngase atij i kanë interesuar vetëm se paratë nga 10% -shi i vlerës së përgjithshme të lokalit të vakëfit , prandaj e ka heshtur qëllimisht aktvendimin përkatës dhe fare nuk e ka njoftuar Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë i cili , siç u cek më parë , e kishte autorizuar atë ekskluzivisht për kthimin e pronës së vakëfit e jo për ndonjë veprim tjetër.  

Avokati Ejup Kamberi , kryetarit të këtij Këshilli dhe përfaqësuesve tjerë të tij vazhdimisht iu thoshte se “lokali nuk mund të kthehet , porse mund të kompensohet në para “ gjë që e kishte shtrembëruar të vërtetën , ngase Gjykata kishte vendosur që ai t’i kthehej Bashkësisë Islame.

Ende pa  e marrë formën e prerë zyrtare në Gjyq çështja në fjalë, avokati Ejup Kamberi ngarendi dhe më datë 08.10.2015 nëpërmes Gjykatës themelore në Bujanoc ia “arriti” që në mënyrë të dhunshme dhe dinake të bllokojë xhirollogarinë e Këshillit Bashkësisë Islame në Preshevë dhe një pjesë të konsiderueshme të pronave të vakëfeve e në veçanti objektin e Medresesë në Preshevë në mënyrë që t’i alokoheshin në konton e tij personale 2.859.250,oo dinarë të këtij Këshilli në emër të përfaqësimit tonë në Gjykatë.

Mirëpo , në ndërkohë para përfundimit të afatit pesëditor për ankesa dhe parashtresa  në mënyrë profesionale ndërhyri Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevë dhe Gjykata themelore në Bujanoc , më datë 23.10.2015  shfuqizoi vendimin e saj për ekzekutim e të njëjtës lëndë, respektivisht të lëndës ekzekutive nr. 107/15 të datës 12.10.2015.

Kështu avokatit Ejup Kamberi iu pamundësua marrja e parave pa meritë , ngase çështja akoma nuk është mbyllur tërësisht.

Me këtë ia bëjmë me dije z. Ejup Kamberit se Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevë assesi dhe kurrsesi nuk do të ikë nga obligimi që ka ndaj tij për atë kohë sa ai në cilësinë e avokatit  e ka përfaqësuar këtë Këshill nëpër gjykata të ndryshme për këtë lëndë. Por , njëherësh e njoftojmë atë se nuk pranojmë shantazhe dhe dezinformim  të opinion publik duke i ditur faktet në mënyrë të kulluar , por mjerisht duke i shtrembëruar ato rrënjësisht dhe me qëllim të paramenduar dashakeq.

Vlen të theksohet se kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë , Fikret ef. Limani asnjëherë kokë më vete nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me rastin në fjalë ,por çdo herë që është paraqitur nevoja për ndonjë çështje rreth këtij rasti , ai në mënyrë shumë transparente dhe kooperative e ka njoftuar Këshillin përkatës , duke marrë mendimin e të gjithëve unanimisht , pa asnjë dallim a përjashtim. Një gjë të këtillë e vërtetojnë të gjithë pjesëtarët e këtij Këshilli.

Gjatë periudhës dhjetëvjeçare sa vazhdon të zgjasë ky gjykim për kthimin e pronës së vakëfit , avokati Ejup kamberi  Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë tri herë e kishte prurë para aktit të kryer johuman dhe atë duke dashur t’ia bllokojë Kuvendit komunal në Preshevë xhirollogarinë bankare duke e sjellë atë dhe punëtorët e saj në një bllokim total financiar. Me këtë nënkuptohet se ne nuk kemi dashur t’i dëmtojmë punëtorët e Kuvendit komunal në Preshevë , sepse ata janë pjesë e jona e pandarë kombëtare , fetare dhe farefisnore. 

Para së gjithash ,  duke pasur parasysh rëndësinë që ka funksionimi normal i organeve komunale të Kuvendit komunal në Preshevë e që është pronë e të gjithë qytetarëve të komunës sonë , përkundër presionit nga ai si avokat mbrojtës , ne asnjëherë nuk kemi rënë pre e apetiteve të tija të pangopura , por disa herë kemi vendosur me kokë të ftohtë pa shikuar ngjyrimet politike a partiake të caktuara. Fundja ne përfaqësojmë të gjithë besimtarët e konfesioni islam dhe të gjithë janë pjesëtarë të Bashkësisë islame.

Meqenëse Këshilli i Bashkësisë Islame në Preshevë jetësisht ishte i interesuar që ta kthente pronën e vet në pronësi të veten  , me pëlqimin e dy palëve më datë 18.08.2015 u arrit “Marrëveshje jashtëgjyqësore me Komunën e Preshevës për rregullimin e raporteve reciproke me rastin e njohjes së të drejtës në pronësi të lokalit afarist në ndërtesën nr. 1 parcela , kadastrale 3438 K.K. Preshevë”.

Me këtë Marrëveshje në Nenin 2. të saj thuhet se : “ Pala e paditur-Komuna e Preshevës në kuadër të kompetencave të veta pranon të lidhë marrëveshje lidhur me caktimin dhe njohjen e të drejtës në pronë dhe mbajtjen e pronës nga Këshilli i mexhlisit të Bashkësisë Islame në Preshevë , në parc.kad. nr. 3438 në vendin e quajtur “Duqani” ,rr. “Ramiz Sadiku” nr. 1 , ndërtesa nr. 1.nën hapësirën e lokalit afarist në sipërfaqe prej 103 m2, pronë e cila udhëhiqet në Fletën e patundshmërisë nr.5294 për KK Preshevë. 

Në Nenin 3.  të kësaj Marrëveshje thuhet: “ Palët e marrëveshjes bashkërisht konstatojnë se është interesi i tyre i përbashkët t’i rregullojnë raportet reciproke duke marrë vendime pran organeve kompetente për regjistrimin e lokalit afarist , hapësirë kjo të cilën më parë e ka pasur në pronësi pala paditëse”.

Këto ishin disa të dhëna në formë të shkruar , ndërsa sa herë që të paraqitet nevoja ne jemi të gatshëm që mbarë opinionit tonë t’ia paraqesim çështjen në frymën e fakteve dhe argumenteve e jo në frymën e dezinformateve dhe shantazheve që ngjallin huti dhe paqartësi në mesin e qytetarëve tanë të nderuar .

Ekziston një dispozitë në të drejtën juridike islame ku thuhet e “ Çështja e vakëfit është sikurse fjala e Krijuesit ,  pra asaj nuk mund t’i ndryshohet destinimi e as nuk mund të tjetërsohet”.

Ne këtë e dimë fare mirë si teolog e hoxhallarë , ndërsa e kemi për obligim që t’ia mësojmë edhe Ejup Kamberit , në këtë rast jo si avokat e jurist  që është ,por si besimtar që i takon fesë së pastër islame.

Fare në përfundim të këtij kundër reagimi tonë të bërë në formë të shkruar sqarojmë se,  ne nuk ia kemi falur Komunës së Preshevës shumën e paraqitur nga avokati Ejup Kamberi në vlerë prej 250.000 eurove, porse siç e paraqitëm më parë kemi arritur “Marrëveshje me Komunën e Preshevës  për pajtim jashtëgjyqësor për rregullimin e raporteve reciproke me rastin e njohjes  të së drejtës në pronësi të lokalit afarist në ndërtesën nr. 1, parc.kat.3438 K.K. Preshevë”.

KËSHILLI I BASHKËSISË ISLAME
NË PRESHEVË
Fikret ef. Limani , kryetar
Zukorliq flet për Luginën e Preshevës dhe Kosovën, shqiptarët janë autokton (video)
Universiteti i Gjilanit "Kadri Zeka" me fokus të veçant ndaj Luginës së Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration