Lokale
Karadaku i Preshevës, territor që po zbrazet
Medvegja, dikur e banuar me shumicë shqiptare, tashti nuk dominohet më nga popullata që dikur ishte shumicë. Komuna e Bujanocit qeveriset nga shqiptarët, por falë atyre që jetojnë në rrafsh, ngase shumica e fshatrave të Malësisë së Bujanocit tashti kanë ngelur të zbrazura e komuna e Preshevës, që ka një pakicë të papërfillshme serbe, dominohet nga shqiptarët, por edhe në këtë komunë është brengosëse zbrazja e fshatrave të Karadakut të Preshevës, shkruan zeri.
Dikur kjo anë që gumëzhinte nga banorët, tashti nëpër fshatra, shtëpitë e mbetura mund të numërohen me gishtërinj. Depca, fshat i tipit të shpërndarë me lagjet e saj, ka mbetur me pak shtëpi. Në lagjen e Gjinajve janë dy shtëpi, derisa Sylajt, Rexhmen, Dervishaj, Gumur, Lafet e Mehaj nuk kanë më shtëpi të banuara.
Siç thekson Avni Elezi, banor i Ilincës në fshatin Sefer është vetëm një shtëpi e banuar, kurse të zbrazura tërësisht janë Gruhalitë, Iseuk, Caravajkë e Garë. Ai thotë se në Kurbali mund të gjendet ndonjë shtëpi e banuar, në Stanec janë katër shtëpi, në Buhiq ka më shumë shtëpi të banuara e në Ilincë, ku vazhdojnë të jetojnë diku rreth 12 familje, kurse edhe Maxherja që ka dy mëhallë, në njërën ka vetëm një shtëpi e tjetra me pak më shumë, kurse Gosponica vazhdon të ketë banorë, në Bukoc janë katër deri pesë shtëpi e në Shoshajë të Epërme e Renatoc nuk ka më shumë se 2-3 shtëpi.
Dikur shkolla e Caravajkës, e cila mblidhte nxënësit nga shumica e fshatrave të Malësisë së Karadakut, që kishte numër të madh të nxënësve e që ishin mbi 150, tashti nuk ka më shumë se dhjetëra sish.
Varfëria, mosperspektiva, shkuarja në emigracion janë disa nga arsyet që këto fshatra i lanë pa banorë, por në masë të madhe në boshatisjen e këtyre fshatrave ka ndikuar edhe lufta e fundit, kur u vranë 11 banorë dhe u dogjën mbi 50 shtëpi e prania e xhandarmërisë serbe e kishte bërë jetën të padurueshme për ata pak banorë të mbetur.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!