Kamberi: Ministri nuk u përgjigj, dha kualifikime të paqëndrueshme për UÇPMB-në
Deputeti popullor Shaip Kamberi gjatë një deklarate për portalin informativ Titulli.com ka thënë se Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë nuk i është përgjigjur atij me deklaratën e fundit që e dha për media.Deputeti nga Bujanoci nënvizon se deklarata e ministrit Nebojsha Stefanoviq është e zakonshme e një zyrtari të lartë serb, duke theksuar se “jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të tilla këto vitet e fundit, kur është fjala për kërkesat e shqiptarëve”.
“Megjithatë, deklarata e djeshme e ministrit të policisë assesi nuk mund të konsiderohet përgjigje në pyetjen time. Sipas rregullores së Parlamentit, ministri është i obliguar që në afatin e caktuar me rregullore të kthejë përgjigje me shkrim në pyetjen time”, u shpreh deputeti shqiptar nga Bujanoci.
I pyetur nga gazetari se a ka të drejtë ministri që UÇPMB-në ta quajë organizatë paramilitare terroriste, kur dihet se pjesëtarët e saj ishin amnistuar, ai tha se pikërisht për këtë arsye deklarata e ministrit Stefanoviq mund të konsiderohet e paarsyeshme.
“Të gjithë pjesëtarët e UÇPMB-së janë amnistuar nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i RFJ-së, si pjesë e paketit të masave për zgjidhjen e krizës së armatosur në Luginë të Preshevës më 2001. Prandaj, kualifikimet që i jep ministri Stefanoviq janë juridikisht të paqëndrueshme”, shprehet Kamberi, raporton Titulli.com.
Ministri i Punëve të Brendshme në deklaratën e tij të së martës tha se nuk do të lejojë kthimin e monumentit të dëshmorëve të UÇPMB-së, ndërsa nga ana tjetër disa herë kemi dëgjuar kryetarin e Trupit Koordinues (TK) Zoran Stankoviq se duhet negociuar me shqiptarët kthimin e lapidarit në një lokacion tjetër.
Përveç kësaj, sipas deputetit shqiptar, jo vetëm pohimet e kryetarit të TK-së Stankoviq, por, është një dokument, (shkurt-mars 2013) i harmonizuar mes përfaqësuesve shqiptar dhe Trupit Koordinues (i cili ka pasur edhe bekimin e qeverisë së atëhershme) nga viti 2013, si pjesë e një iniciative për fillimin e bisedimeve mes përfaqësuesve shqiptar dhe qeverisë në Beograd, i cili përcakton korrikun e vitit 2013 afatin e fundit për “gjetjen e lokacioneve të përshtatshme për monumentin e Preshevës dhe atë të LLuçanit”.
“A ka ndonjë ndryshim të qëndrimit brenda Trupit Koordinues, për këtë duhet pyetur nënkryetarët e Trupit Koordinues”, thekson deputeti.
Sipas Kamberit, me të njëjtin dokument, si masë për uljen e tensioneve konsiderohet edhe “eliminimi i termit terrorist” nga fjalori i zyrtarëve kur komunikojnë me apo për shqiptarët.
“Pra me këtë deklaratë dëshmohet edhe njëherë qasja regresive e zyrtarëve serb, kur është fjala për kërkesat që i shtrojnë shqiptarët”, përfundon Kamberi.
Kujtojmë se deputeti i Partisë për Veprim Demokratik nga Bujanoci, Shaip Kamberi, në seancën e së martës të Parlamentit të Serbisë, kërkoi nga Ministri i Punëve të Brendshme që të dijë se kur do të kthehet monumenti i dëshmorëve të UÇPMB-së i hequr nga sheshi i Preshevës, duke nënvizuar se lapidari “nuk është subjekt i veprës penale dhe se që nga heqja padrejtësisht po mbahet në një lokacion të panjohur”/Titulli.com/