Kamberi : Koalicionet për zgjedhjet parlamentare, janë spekulime
Kryetari i komunës së Bujanocit por njëherit edhe i PVD-së, Shaip Kamberi në një intervistë për Titulli.com në lidhje me zërat se mund të ketë një koalicion të mundshëm paraparprak mes PVD-së dhe APN-së për zgjedhjet republikane në Serbi i ka quajtur si spekulime të opozitës pasi sipas tij PVD akoma nuk ka qëndrim për zgjedhjet për deputet popullorë.
Kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi duke folur për “zërat” se mund të ketë një koalicion mes PVD-së dhe APN-së për zgjedhjet parlamentare tha se është spekulim i opozitës për të krijuar paqartësi me qëllim pengimin e unifikimit të faktorit politik shqiptarë.
“Mendoj se këto janë spekulime të disa opozitarëve të cilët po përgatisin terrenin për të krijuar paqartësi, respektivisht për të krijuar alibi për veti dhe subjektin e vet në rast të ndonjë iniciative për unifikim. Pra, konkretisht është fjala për opozitarë të cilëve i pengon unifikimi. Unifikimi nuk është diçka që nuk mund të ndodhë, por, për të ardhur deri te ky objektiv duhet vullneti i mirë politik i akterëve kryesorë. Të presim e të shohim. Nuk dëshiroj të prejudikoj asgjë. Opinioni me kohë do të marrë vesh për qëndrimin e PVD-së lidhur me këtë temë, por, paraprakisht, janë organet e PVD-së ato që duhet ta diskutojnë këtë temë” – tha Kamberi.
Kamberi deklaroi për Titulli.com se PVD akoma nuk ka qëndrim për zgjedhjet parlamentare të 2020-së dhe se së shpejti do të ketë edhe një takim lidhur me këtë çështje dhe atë me ministrin shqiptarë Cakaj.
“PVD Akoma nuk ka qëndrim lidhur me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vitin tjetër. E vërteta është se së shpejti do të kemi një takim konsultativ në Tiranë, me ministrin e jashtëm Gent Cakaj. Do të shohim cilat janë sugjerimet dhe preferencat për të mundur të kemi një qëndrim të saktë lidhur me këtë çështje. Prandaj, ju them drejtpërdrejtë se deri sa PVD nuk ka qëndrim lidhur me këto zgjedhje është iluzore të bëjmë koalicione me cilindo subjekt” , tha Kamberi. /Titulli.om/