Kamberi dhe Sinani vizitë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe ish-kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, i bënë një vizitë Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.Me atë rast e njoftuan kryetarin e Akademisë, akademik Hivzi Islamin dhe sekretarin e Seksionit të Shkencave Shoqërore, akademik Jusuf Bajraktarin, për rrjedhat shoqërore dhe politike të Luginës dhe problemet me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e Luginës, të diskriminuar në vazhdimësi në të gjitha aspektet nga regjimi i Beogradit.
“Ata ngritën disa çështje shqetësuese mosrealizimi i kërkesave politike, ngecja në zhvillim ekonomik e social, shpërnguljen e shqiptarëve dhe tendencat për një valë të fuqishme të paralajmëruar të kolonizimit të Luginës me serbë nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe viset e tjera. Kërkuan një mbështetje në rrafshin shkencor nga Akademia për trajtimin e Luginës dhe pozitën e rëndë të shqiptarëve atje, e cila nuk dallon nga koha e Millosheviqit”, thuhet në njoftimin Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Udhëheqësit e Akademisë e njoftuan delegacionin e Luginës së Preshevës për punën, rezultatet dhe planet e Akademisë, hapjen e saj ndaj institucioneve akademike dhe shkencore-kërkimore në rajon dhe në Evropë.
Përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i premtuan delegacionit se do ta mbështesin Luginën në planin shkencor, ashtu siç e kanë mbështetur deri tash, me tri botime shkencore, duke u bërë kështu Lugina një nga trevat shqiptare më të hulumtuara e më të studiuara./Titulli.com/