Ja kur munden librat nga Kosova të përdoren në shkollat e Luginës! (Video)
Edhe pse kanë kaluar 14 ditë nga arritja e dy kamionëve me 104.069 tekste shkollore, dedikuar për shkollat fillore në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ato edhe matej po mbahen në terminalin doganorë në Preshevë.Zyrtarët e Republikës së Serbisë i kanë thënë portalit informativ Titulli.com se këto tekste nuk mund të hyjnë në Serbi pa u përfunduar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit që po zhvillohen në Bruksel.
“Kur bëhet fjalë për tekstet nga Kosova dhe Metohia, qëndrimi i përgjithshëm, edhe në bisedimet që kemi zhvilluar, kemi thënë: Përderisa nuk përfundohen bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit tekstet nga Kosova dhe Metohia nuk mund të shfrytëzohen në procesin arsimor [në Luginë]”, është shprehur Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai shton se kjo në një farë mënyre ka qenë edhe një marrëveshje që është folur më herët për të.
“Presim që kur të përfundohen të gjitha bisedimet, shpresojë se së shpejti, atëherë të fillohet me aktivitetet themelore, që nënkupton realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura atje”, ka thënë Stankoviq.
Më 9 shtator të këtij viti Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës nisi për në Luginë dy kamionë me 104.069 libra, me vlerë prej 203 mijë euro.
Kamionët me tekste për pesë orë qëndruan në pikën kontrolluese te Dheu i Bardhë për të hyrë në Serbi. Më pas nga aty u dërguan në terminalin doganorë në kufirin Serbi- Maqedoni, në Preshevë.
Nga ajo kohë librat kanë mbetur të ngujuara në terminal dhe nuk janë lejuar të shpërndahen nëpër shkollat e Luginës, për ku edhe kishin destinacionin kryesorë.
Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, i cili ka thënë se për shkak të bllokimit të librave nga autoritetet serbe do të urdhërojë të gjitha doganat e Kosovës që asnjë libër nga Serbia të mos hyjë në Kosovë.
Bajrami tha se gjatë javës së ardhshme do të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje./Titulli.com/