Ish-këshilltari i presidentit të SHBA-së propozon “shkëmbim territoresh” për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi
Doug Bandow, ish-asistent special i presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara (SHBA), Ronald Reagan, në një artikull autorial mbi rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, shkroi për vijimësinë e vështirësive të bashkësisë së organizuar perëndimore në zgjidhjen e konfliktit, posaçërisht pas tensioneve në veriun e trazuar të Kosovës.
Bandow, partner i institutit kërkimor amerikan “Cato” që synon të promovojë idetë libertariane në debatet politike, në një artikull kushtuar zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor, propozoi që ideja e ripërcaktimit të kufijve në vija etnike të futet sërish në agjendën e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve ekzistuese mes të dyja vendeve.
Në pjesën veriore të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, ndërsa perspektiva e ndarjes apo këmbimit të territoreve ngrihet herë pas here në debatet publike. E idenë e ripërcaktimit të kufijve në vija etnike e propozoi edhe ish-zyrtari i lartë i administratës amerikane.
“Rreth 100,000 serbë ende jetojnë në Kosovë. Ky mbetet një territor efektivisht i ndarë dhe serbët duan t’i bashkohen Serbisë. Kosova refuzon dhe mbështetet nga SHBA dhe pjesa më e madhe e Evropës. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, aleatët pretenduan se kundërshtonin ndryshimin e kufijve në Evropë. Një hipokrizi e tillë e paturpshme vetëm sa nxit zemërimin serb”.
Bandow kujtoi se ideja e këmbimit të territoreve gjeti konsideratë të madhe nën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, porse rivizatimi i kufijve shkaktoi “histeri” në kontinent. Megjithatë, ai vlerësoi se kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç shfrytëzojnë veriun e Kosovës për t’i ushqyer emocionet nacionaliste të të dy popujve.
Administrata Trump sugjeroi negocimin mbi një parim të ri: një këmbim territoresh ku të dy palët do të rishikonin kufijtë e tyre përgjatë vijave etnike duke transferuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës në Serbi në këmbim të një pjese me shumicë shqiptare të Serbisë jugore në Kosovë. Pas rikonstruktimit të forcave në SHBA, përgjegjësia i kaloi BE-së.
“Statusi i serbëve në Kosovë ndez njësoj politikën në Kosovë dhe Serbi. Kurti fiton pikë politike duke goditur serbët rebelë të veriut. Largoni serbët dhe politika do të qetësohet. Vuçiç – gjatë luftës një nacionalist ekstrem – është një oportunist që manipulon tensionet etnike. Korrigjimi i kufijve do të minimizonte aftësinë e Vuçiçit për të ngjallur antagonizëm ndaj Kosovës”.
Bandow gjithashtu konsideroi se zbutja e “nacionalizmit serb” dhe “nacionalizmit shqiptar” do të zvogëlonte hapësirën manovruese të Rusisë për të nxitur trazira. Në këtë frymë, ai konsideroi se shkëmbimi i territoreve apo ripërcaktimi i kufijve do ta çonte Serbinë drejt njohjes së Kosovës dhe rrjedhimisht, faktori rus do të eleminohet nga Ballkani Perëndimor.
“Një çerek shekulli pas luftës së ashpër të Kosovës, qytetarët meritojnë një të ardhme më të mirë. Megjithatë, mundësitë e tyre mbeten të kufizuara nga nacionalizmat kundërshtues sikurse në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Uashingtoni dhe Brukseli duhet të ndalojnë së shtyri vizionin e tyre për rajonin dhe të lejojnë njerëzit të negociojnë të ardhmen e tyre”.
Në kushtet kur Kosovës i është bërë barrë e madhe pjesa problematike e veriut dhe kur themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është bërë “detyrë urgjente” dhe “hap ekzistencial” për Kosovën, atëherë për shumë ekspertë të politikave ballkanike, modeli apo ideja e ripërcaktimit të kufijve mes të dy vendeve del të jetë mënyra e vetme drejt normalizimit./albanianpost/