Himni “Uniteti serb” nuk u lexua në Suboticë, çdo i treti banor i Vojvodinës nuk është serb
Vetëm me unitet dhe pajtim mund të ruajmë kulturën, traditën dhe besimin tonë” - kjo fjali u lexua më 15 shtator në shkollat e Serbisë, pavarësisht nga përzierja kombëtare e fëmijëve. Leximi i kësaj fjalie u bë me rastin e Ditës së unitetit serb, e cila shënohet çdo 15 shtator.
Teksti, të cilin Beogradi zyrtar kërkoi të lexohej, u prit me reagime nga përfaqësuesit e komuniteteve pakicë. Për këtë shkak, aktivistët dhe një pjesë e opozitës kërkuan nga shkollat që të refuzojnë ta lexojnë atë.
Çfarë është Dita e unitetit serb?
Dita e unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb, siç është emri i plotë i festës, shënohet në Serbi dhe në Republikën Sërpska, entitet ky në Bosnjë e Hercegovinë, që nga viti 2021, në kujtim të 15 shtatorit të vitit 1918, kur në Luftën e Parë Botërore u shpërthye fronti i Selanikut.
Siç është paralajmëruar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë vit do të marrë pjesë në ngjarjen qendrore në Bijelinë, në Republikën Sërpska. Një vit më parë, festimi u organizua në Serbi dhe aty morën pjesë zyrtarë të Republikës Sërpska.
Beogradi kërkon leximin e tekstit në shkolla
Ministria e Punës në Serbi kërkoi që teksti, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) kishte qasje, të lexohej në të gjitha shkollat, më 15 shtator.
Në tekst, ndër tjerash thuhet se “kjo ditë është simbol i heroizmit dhe unitetit të kombit, të cilin Serbia, Republika Sërpska dhe populli serb, kudo që jetojnë, e kremtojnë me festë të përbashkët”.
“Ai është, gjithashtu, një mesazh se ne mund ta ruajmë kulturën, traditën dhe besimin tonë vetëm me unitet dhe pajtim”, theksohet në tekst.
Po ashtu, aty thuhet se uniteti serb festohet sepse “ ai nënkupton vetëdijen për përkatësinë e njëjtë kombëtare, fetare, kulturore dhe civilizuese, vetëdijen për të njëjtat aspirata, synime dhe interesa, pavarësisht nga hapësira gjeografike ku jetojnë serbët”.
Në tekst shpjegohet se trengjyrëshi serb (flamuri kombëtar i Serbisë) “për të parët tanë ishte më i madh, më i rëndësishëm dhe më i shtrenjtë se jeta, sepse u kujtonte atyre se liria e Serbisë nuk ka çmim dhe as alternativë”.
“Për këtë vdiqën bajraktarët, por flamujt mbijetuan”, thuhet ndër të tjera në tekstin e nënshkruar nga ministrja e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Darija Kisiq.
Pikëpamjet e ndryshme në Suboticë
Udhëzimin, me rastin e 15 shtatorit, e kanë marrë edhe disa shkolla fillore në Subotica të Vojvodinës, ku hungarezët përbëjnë shumicën.
Në këtë krahinë autonome në veri të Serbisë jetojnë mbi 25 bashkësi kombëtare, të cilat përbëjnë rreth 35 për qind të popullsisë së Vojvodinës dhe në të përdoren zyrtarisht gjashtë gjuhë.
Në mesin e shkollave që nuk kanë marrë udhëzimin me rastin e 15 shtatorit është edhe Gjimnazi për nxënës të talentuar “Dezhe Kostolanji” i këtij qyteti.
Drejtori i kësaj shkolle të mesme hungareze, Tibor Naxh, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht se shkolla nuk ka marrë udhëzime të tilla, mësimdhënësit nuk do t’ua lexojnë atë tekst nxënësve të tyre.
“I referohet Serbisë dhe këtë absolutisht nuk e kontestoj, për historinë, komunitetin, unitetin e tyre. Nga kjo anë, mendoj se nuk kemi asgjë. Shkollat ku ekzistojnë klasa të përziera, ku ka nxënës serbë dhe joserbë, jo vetëm hungarezë, por edhe sllovakë, rumunë, kroatë... Aty duhet të lexohet për nxënësit serbë, por për të tjerët, absolutisht nuk ka asnjë domethënie”, konsideron Naxh.
Ai është gjithashtu profesor i Historisë dhe sipas tij, çdo i treti banor i Vojvodinës nuk është serb.
“T’i detyrosh ta bëjnë me dhunë këtë, është e papranueshme”, tha Naxh.
Ai shtoi se me dhunë nuk mund të arrihet asgjë dhe se këtë e ka treguar tashmë edhe historia.
“Nëse konsiderojmë që Kosova, si territor i takon Serbisë, a do të lexohet kjo në territorin e Kosovës?”, ka pyetur Naxh, duke iu referuar ish-krahinës në kuadër të Serbisë, e cila në vitin 2008 e ka shpallur pavarësinë. Zyrtarët në Serbi refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet, edhe pse nuk kanë kontroll mbi të.
Drejtoresha e Shkollës fillore “Matko Vukoviq” nga Subotica, Mirjana Stevanoviq, në një deklaratë me shkrim për REL-in, ka thënë se shkolla do t’ua lexojë tekstin të gjithë nxënësve të saj.
“Shkolla ndjek rekomandimet e shtetit dhe ministrisë së saj”, tha ajo.
“Mësimdhënësit në Shkollën fillore “Kizur Ishtvan” në Suboticë, gjithashtu do t’ua lexojnë nxënësve të tyre tekstin e përmendur, më 15 shtator”, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori i shkollës, Dejan Angjelkoviq.
Ai theksoi se qëndrimi personal i tij është se nuk sheh asnjë problem lidhur me këtë dhe nuk e di se pse dikush do të ofendohej:
“Ne jemi të obliguar, marrë parasysh se i përkasim Ministrisë së Arsimit, që të veprojmë sipas çdo shkrese dhe çdo urdhri që marrim nga Ministria”.
Angjelkoviq, po ashtu, deklaroi se nuk ka vërejtur se dikush në Suboticë vuan nga ndonjë formë e diskriminimit.
“Qytetarët e Serbisë janë serbë, pavarësisht nga përkatësia fetare. Nuk e kuptoj se cili është problemi, pse nuk duhet lexuar nëse është një ngjarje historike, nëse janë festa që i kremton Serbia”, vlerësoi Angjelkoviq.
Kryetari i partisë politike të pakicës kroate, Bashkimi Demokratik i Kroatëve në Vojvodinë (DSHV), Tomislav Zhigmanov, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është problem që festa kremtohet në Serbi dhe as mesazhet që bëjnë thirrje për patriotizëm, por është e diskutueshme sepse kjo po bëhet në sistemin arsimor.
“Problemi është se mesazhet e tilla kanë një lloj kuptimi që është problematik kur bëhet fjalë për fëmijët e kombësisë joserbe, të cilët ndjekin mësimet në gjuhën serbe ose në gjuhët e pakicave. A do të përkthehen ato mesazhe në gjuhët e komuniteteve pakicë, në gjuhën në të cilën zhvillohet arsimi, apo do të lexohen në gjuhën serbe?”, theksoi Zhigmanov.
Ai, po ashtu, vlerësoi se adresimi ndaj një pjese të qytetarëve të Serbisë, në mesin e nxënësve që nuk janë pjesëtarë të saj, mund të shkaktojë një lloj të caktuar të ndjenjave negative.
“Dhe, sigurisht që mund të lërë një lloj përvoje traumatike”, shtoi ai.
Një prind, fëmija i të cilit ndjek mësimet në gjuhën kroate në një nga shkollat fillore të Suboticës dhe që donte të mbetej anonim, tha për REL-in se nuk është i lumtur kur veçohet vetëm një komb, sepse “duket si favorizim”.
“Nuk kemi asgjë kundër askujt - i duam të gjithë popujt, por për popullin tonë nuk dëgjojmë asnjëherë diçka të tillë”, tha ky prind.
OJQ-të dhe opozita e dënuan tekstin
Më 12 shtator, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi u bëri thirrje shkollave në Novi Sad që të refuzojnë të lexojnë tekstin e dërguar nga Administrata e Shkollës me rastin e Ditës së unitetit serb.
Kjo organizatë, përmes një njoftimi, vlerësoi se teksti bie ndesh me konceptin e shoqërisë shumetnike të Vojvodinës.
Në njoftim, Komiteti i Helsinkit vlerëson se mesazhet e tilla janë të papranueshme dhe të dëmshme për nxënësit në Vojvodinë, sepse reduktohen në kolektivizëm dhe unitarizëm etnik, të cilat nuk lënë vend për zgjedhjet e individëve dhe për pjesëtarët e bashkësive tjera etnike.
Lidhur me të njëjtin tekst, është deklaruar edhe partia rajonale Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës (LSV), e cila i bëri thirrje ministres së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Darija Kisiqit, që të tërheqë rekomandimin e dhënë shkollave për të lexuar tekstin me rastin e Ditës së Flamurit.
Siç tha LSV-ja, ky tekst shkakton ndarje shtesë në shoqëri.
Ministria e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik e Serbisë, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me udhëzimet për shënimin e Ditës së unitetit serb, si dhe për tekstin shoqërues që u lexohet nxënësve të të gjitha shkollave në territorin e Serbisë.
Në Zyrën e Komisionarit për Barazi, REL-it iu tha se nuk kanë pranuar asnjë ankesë apo vërejtje që ka të bëjë me Ditën e unitetit serb.