Himni “Uniteti serb” i obligueshëm në shkollat shqiptare në komunat e Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë
Lokale

Himni “Uniteti serb” i obligueshëm në shkollat shqiptare në komunat e Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

18.Sep.2022 08:19
0

“Vetëm me unitet dhe pajtim mund të ruajmë kulturën, traditën dhe besimin tonë” - kjo fjali u lexua më 15 shtator në shkollat e Serbisë, pavarësisht nga përzierja kombëtare e fëmijëve.

Leximi i kësaj fjalie u bë me rastin e Ditës së unitetit serb, e cila shënohet çdo 15 shtator. Teksti, të cilin Beogradi zyrtar kërkoi të lexohej, u prit me reagime nga përfaqësuesit e komuniteteve pakicë.

Përfaqësuesit e komunitetit boshnjak, atij shqiptar dhe kroat i shohin si diskriminuese theksimet nga ky tekst.

Për këtë shkak, aktivistët dhe një pjesë e opozitës kërkuan nga shkollat që të refuzojnë ta lexojnë atë.

Çfarë është Dita e unitetit serb?

Dita e unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb, siç është emri i plotë i festës, shënohet në Serbi dhe në Republikën Sërpska, entitet ky në Bosnjë e Hercegovinë, që nga viti 2021, në kujtim të 15 shtatorit të vitit 1918, kur në Luftën e Parë Botërore u shpërthye fronti i Selanikut.

Siç është paralajmëruar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë vit do të marrë pjesë në ngjarjen qendrore në Bijelinë, në Republikën Sërpska. Një vit më parë, festimi u organizua në Serbi dhe aty morën pjesë zyrtarë të Republikës Sërpska.

Beogradi kërkon leximin e tekstit në shkolla

Ministria e Punës në Serbi kërkoi që teksti, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) kishte qasje, të lexohej në të gjitha shkollat, më 15 shtator.

Në tekst, ndër tjerash thuhet se “kjo ditë është simbol i heroizmit dhe unitetit të kombit, të cilin Serbia, Republika Sërpska dhe populli serb, kudo që jetojnë, e kremtojnë me festë të përbashkët”.

 

“Ai është, gjithashtu, një mesazh se ne mund ta ruajmë kulturën, traditën dhe besimin tonë vetëm me unitet dhe pajtim”, theksohet në tekst.

Po ashtu, aty thuhet se uniteti serb festohet sepse “ ai nënkupton vetëdijen për përkatësinë e njëjtë kombëtare, fetare, kulturore dhe civilizuese, vetëdijen për të njëjtat aspirata, synime dhe interesa, pavarësisht nga hapësira gjeografike ku jetojnë serbët”.

Në tekst shpjegohet se trengjyrëshi serb (flamuri kombëtar i Serbisë) “për të parët tanë ishte më i madh, më i rëndësishëm dhe më i shtrenjtë se jeta, sepse u kujtonte atyre se liria e Serbisë nuk ka çmim dhe as alternativë”.

Udhëzime për festimin e Ditës së unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb, 15 shtator 2022.
Udhëzime për festimin e Ditës së unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb, 15 shtator 2022.

“Për këtë vdiqën bajraktarët, por flamujt mbijetuan”, thuhet ndër të tjera në tekstin e nënshkruar nga ministrja e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Darija Kisiq.

“Kërkojmë tërheqjen e tekstit të kontestuar”

Reagimet më të ashpra u shprehën nga Novi Pazari, qytet në jug të Serbisë ku shumicën e popullsisë e përbëjnë boshnjakët.

Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve (BNV) i bëri thirrje Ministrisë së Arsimit që të tërheqë nga shkollat në mjediset shumetnike Udhëzimin që urdhëron leximin e tekstit të përgatitur për Ditën e unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve, Jasmina Curiq, vlerësoi se është i pashembullt leximi i tekstit të tillë për nxënësit në atë pjesë të Serbisë, por edhe në mjediset tjera shumetnike.

“BNV-ja e kundërshton fuqishëm leximin e këtij teksti në shkollat e Sanxhakut, si dhe në mjedise të tjera të përziera etnikisht, sepse bie në kundërshtim me respektimin dhe vlerësimin e shumëllojshmërisë dhe multietnicitetit”, tha Curiq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo theksoi se BNV-ja po kërkon nga ministria përkatëse dhe nga Administrata e shkollës në Novi Pazar që të respektojnë shumëllojshmërinë dhe t’i respektojnë fëmijët, prindërit dhe mësuesit e nacionalitetit boshnjak.

“Ne vlerësojmë se mesazhet e tekstit janë të papranueshme dhe të dëmshme për nxënësit në Sanxhak (rajon në jug të Serbisë), ku mësimet zhvillohen në gjuhën boshnjake dhe serbe, dhe ne e konsiderojmë këtë si një imponim të dhunshëm të kulturës kombëtare serbe ndaj fëmijëve boshnjakë”, potencoi Curiq.

Të kihen parasysh ndjenjat e popujve pakicë

Edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Sanxhakut (SDP) dhe bartësi i listës së kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme për anëtarë të këshillave kombëtarë, Husein Memiq, tha se udhëzimi dhe teksti që kanë marrë shkollat, me rastin e festimit të 15 shtatorit, ishin të papranueshme për të.

Memiq i tha REL-it se shteti duhet të marrë parasysh ndjenjat e popujve pakicë dhe se gjatë dërgimit të udhëzimeve apo rekomandimeve të ndryshme, është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje, që dokumenti të mos rrezikojë asnjë komb apo popull.

“Duhet të ketë disa konsultime me Këshillin Kombëtar Boshnjak ose të paktën, kjo pjesë e Serbisë, të anashkalohet nga kjo çështje. Këtu në Sanxhak jetojnë me shumicë boshnjakët, ndërkaq me këtë Udhëzim atyre u imponohet të pranojnë diçka që nuk e ndiejnë si përkatësi të tyren. Në shkolla, ka klasa etnikisht të përziera dhe me siguri kjo mund të bëjë dallime dhe ndarje ndërmjet nxënësve”, tha Memiq, i cili është edhe drejtor i Qendrës Kulturore në Novi Pazar.

Ai theksoi se Qeveria e Serbisë duhet të tregohet e mençur dhe në situata të tilla të gjejë zgjidhje që janë të pranueshme për pakicat kombëtare dhe jo që shkaktojnë përçarje, sikurse në rastin e tanishëm.

“Ky lloj dokumenti, më së paku e bën dallimin mes boshnjakëve dhe serbëve këtu në Sanxhak dhe mendimi im është se nuk është i pranueshëm”, tha Memiq.

Rikujtimi i rastit të himnit

Me gjithë përpjekjet e disahershme, REL-i nuk ka mundur të marrë deklaratë zyrtare nga asnjë prej punëtorëve në arsim apo prindërve të nxënësve në Novi Pazar.

Megjithatë, reagimet ndaj tekstit që i kushtohet Ditës së unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb, nuk shënojnë rastin e parë të protestave publike në Novi Pazar kundër vendimeve të institucioneve shtetërore.

Në vitin 2021, mësuesja e shkollës fillore “Rifat Burxhoviq Tërsho”, Adela Melajac - Karaahmetoviq, nuk iu bind urdhrit të Ministrisë së Arsimit për intonimin e himnit kombëtar të Serbisë, “Drejtësi e Zotit”, në ditën e parë të vitit të kaluar shkollor.

Në vend të atij himni, ajo u ka intonuar nxënësve të saj himnin e boshnjakëve të Sanxhakut “Unë jam biri yt” dhe më pas, i është dashur të japë deklaratë në policinë e Novi Pazarit.

Asokohe, Ministria e Arsimit dërgoi inspektorët e saj për të konstatuar gjendjen faktike dhe mësuesja pretendoi se në orën e parë e kishte luajtur himnin kombëtar dhe në të dytën atë boshnjak.

Sipas informacioneve të REL-it, inspektorati ka konstatuar se mësuesja nuk e ka shkelur ligjin, por e ka dënuar atë për “punë të pandërgjegjshme” duke i ulur pagën për 30 për qind, për tre muaj.

(Pa)Kënaqësia në jug të Serbisë

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shkollave në Leskovc, në jug të Serbisë, udhëzimet për shënimin e sivjetmë të Ditës së unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb janë dërguar në të gjitha shkollat në territorin e qarkut të Jabllanicës dhe Pçinjit, përfshirë shkollat në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilat, sipas territorit, janë nën juridiksionin e tyre.

Në këto vende, komuniteti shqiptar është i dyti më i madh, ndërkaq në Preshevë është komunitet shumicë.

 

Në Drejtorinë e Shkollës së Leskovcit i thanë Radios Evropa e Lirë se presin që gjithçka të shkojë në harmoni me udhëzimin.

Informacione të tilla ka edhe drejtori i shkollës fillore “Muharem Kadriu” në Tërnovc të Madh, Vahid Iseni. Në këtë shkollë mësimin në gjuhën shqipe e ndjekin 500 nxënës.

“Ne morëm Udhëzimin për shënimin e kësaj feste dhe orët e para, në të dy ndërrimet, ia kushtuam njohjes së fëmijëve me kuptimin dhe rëndësinë e saj. Gjithçka është kryer sipas ligjit, siç është thënë dhe shkruar”, tha Iseni për Radion Evropa e Lirë.

Sipas informacioneve që ai ka, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe drejtorët e shkollave tjera ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, sepse të gjitha shkollat janë pjesë e sistemit arsimor të Serbisë.

Shkolla fillore “Muharem Kadriu” në Tërnovc të Madh.
Shkolla fillore “Muharem Kadriu” në Tërnovc të Madh.

Iseni nuk ka dashur të komentojë dispozitat e Udhëzimit, si dhe përmbajtjen e tekstit që lexohet nëpër shkolla, duke thënë se nuk është kompetencë e tij. Qëndrime identike patën edhe drejtorët e shkollave të tjera në Bujanoc dhe Preshevë, të cilët i kontaktoi Radio Evropa e Lirë.

Nga Këshilli Kombëtar Shqiptar thanë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e qëndrimit të tillë të drejtorëve të shkollave është pasojë e frikës nga Ministria e Arsimit, por edhe nga inspektorati arsimor, si dhe nga mundësia e humbjes së vendit të punës.

Mustafi: Festë për promovimin e "Botës serbe"

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, kompetencë e të cilit është edhe arsimi, vlerësoi se teksti me rastin e Ditës së unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb është i papranueshëm sepse, siç tha ai, shërben për promovimin e konceptit politik të “Botës serbe”.

Termi “Botë serbe” për herë të parë zyrtarisht u promovua nga Aleksandar Vulin në adresat shtetërore të Serbisë, derisa ai ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Vuçiq duhet të krijojë botën serbe. Beogradi duhet t’i mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, ndërkaq presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”, kishte thënë Vulin më 26 shtator të vitit 2020.

Ai vazhdoi me mesazhe të ngjashme edhe nga pozita e ministrit të Policisë, ndërsa përkrahje mori edhe nga presidenti i Serbisë.

Ragmi Mustafi vlerësoi për REL-in se teksti i përgatitur nga Beogradi zyrtar me rastin e 15 shtatorit, përjashton tolerancën, përbërjen shumetnike dhe me shumë konfesione të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

 

“Teksti, gjithashtu, përjashton gjithçka që nënkupton një shkollë laike. Për këtë arsye është i papranueshëm dhe duhet të injorohet nga shkollat. Po ashtu, ekziston frika e arsyeshme e prindërve të nxënësve të këtushëm se lëvizje të tilla nga ana e qeverisë sjellin politizimin e shkollave dhe futjen e indoktrinimit jo vetëm për mësimdhënësit, por edhe për nxënësit”, tha Mustafi.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të kuptojë nga prindërit se çfarë mendojnë për Udhëzimin për shënimin e Ditës së unitetit serb, por as ata dhe as mësuesit nuk deshën të komentojnë publikisht ngjarjet aktuale.

Nëna e një filloristi nga Bujanoci, me inicialet A.S., e cila dëshironte të mbetej anonime, i tha REL-it se nuk kishte dëgjuar për tekstin që do të lexohet në shkollën ku vijon mësimin djali i saj. Ajo u shpreh e shqetësuar për fëmijët, të cilët në mënyra të ndryshme, përfshihen në lojërat politike, të cilat në të ardhmen mund të ndikojnë negativisht në formimin e sistemit të tyre të vlerave.

“Nuk e di nëse dikush po mendon për pasojat e rritjes së vazhdueshme të tensioneve ndëretnike dhe konfrontimeve të ndërsjella, por kam frikë se fëmijët mund të identifikohen me heronjtë e së kaluarës sonë të luftës, e cila në të ardhmen mund të prodhojë probleme serioze ndëretnike dhe të na kthejnë në vitet ’90 të shekullit të kaluar”, tha A.S.

Në Zyrën e Komisionarit për Barazi, REL-it iu tha se nuk kanë pranuar asnjë ankesë apo vërejtje që ka të bëjë me Ditën e unitetit serb.

Përgatiti: Bekim Bislimi-REL

 

Serbia konfiskon 50 kg drogë në makinën me targa të OSBE-së që kaloi nëpër Kosovë ( video)
Himni “Uniteti serb” nuk u lexua në Suboticë, çdo i treti banor i Vojvodinës nuk është serb
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration