Halimi: Është joreale ndarja e Kosovës, 2 deputetë në legjislativin e ri të Serbisë
Zgjidhja e problemit të Kosovës në relacionin Prishtinë-Beograd në formën e saj përfundimtare sigurisht që nuk do të ketë ndonjë shkëmbim territoresh ose ndarje të Kosovës.
Kështu ka vlerësuar Riza Halimi, themelues dhe kryetar për disa vjet i Partisë për Veprim Demokratik, të cilën ai e themeloi në shtator të vitit 1990.
Halimi thotë se për të kjo ide është joreale.
“Kjo çështje ka qenë aktuale në fillim të vitit 2000, me kryeministrin Gjingjiq. Sot rrethanat janë krejtësisht ndryshe dhe modeli për ndarje është model i vjetruar”, ka thënë Halimi për të përditshmen serbe “Danas”, transmeton “Zeri.info”.
Halimi e pranon se shfaqet rrallë në opinion qyshkur postin e kryetarit të partisë ia dorëzoi kryetarit të tanishëm Shaip Kamberit, në shtatorin e vitit 2016.
Ai doli në pension pas përfundimit të mandatit të deputetit në Kuvendin e Serbisë.
Pas shumë cikleve zgjedhore shqiptarët në jug të Serbisë ose në Kosovën Lindore do të garojnë në këto zgjedhje me 12 kandidatë në listën “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.
Përpos pragut të natyrshëm për përfaqësuesit e pakicave kombëtare në Serbi, shqiptarët mund të marrin më shumë se dy deputetë në legjislativin e ri të Serbisë.
“Unitet i plotë nuk është arritur sepse nuk është Ragmi Mustafa nga Partia Demokratike e Shqiptarëve. Sipas mendimit tim, është realiste të pritet që lista shqiptare të fitojë dy vende në Parlament. Nuk besoj se mund të arrijnë te deputeti i tretë. E shihni, këtu në jug të Serbisë dhe në Preshevë vetë kemi largimin e kryesisht të rinjve për shkak të paperspektivës ekonomike. Që nga viti 2010 mijëra të rinj kanë shkuar në vendet e BE-së. Kapaciteti i votuesve është zvogëluar dhe interesimi aktual i të rinjve për një proces të tillë politik nuk është edhe shumë i madh. Ky nuk është rasti vetëm me shqiptarët në Preshevë ose në Bujanoc, është i njëjti me romët, serbët. Thjesht, nuk ka ndonjë azhurnim politik pa një bazë ekonomike, kjo është arsyeja pse unë mendoj se shqiptarët do të kenë dy deputetë, përveç nëse arrijnë të motivojnë votuesit në dy javët e ardhshme”, vlerëson Halimi.
Ish-kryetari i PVD-së thotë se nuk është i azhurnuar mjaftueshëm për skenën politike serbe, ndërsa thekson se aty ka “shumë turbulenca”.