Halimi dhe Kamberi morën pjesë në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit
Kryetari dhe nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi morën pjesë në seancën solemnde në nder të shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.Politikanë dhe drejtues të lartë shtetërore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, u mblodhën këtë të diele në Prizren, në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në oborrin e shtëpisë së takimit historik, kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Ilir Meta dhe përfaqësues së familjes Jashari, vendosën gurthemelin e kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes.
Më pas u mbajt edhe një seancë solemne në përkujtim të 140 vjetorit të kësaj dite të shënuar në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Seanca nisi nën himnin kombëtar.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u shpreh se “pa këtë Lidhje, shqiptarët nuk do të kishin as 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës”
“Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, në kryeqytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin e krenarisë tonë kombëtare, na ka bashkuar kujtimi për njërën prej këtyre ngjarjeve madhështore – Lidhja e Prizrenit. 140 vite më parë, në këtë vend ku qëndrojmë sot, u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare…pa këtë Lidhje, shqiptarët nuk do të kishin as 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës”, tha Veseli.
Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi rëndësinë e proceseve që do ta bëjnë vendin të ecë i sigurt drejt të ardhmes, por edhe për dialogun me Serbinë që duhet të përfundojë me njohjen reciproke të të dy vendeve.
“Për t’u përmbyllë lufta e vitit 1999 mes Kosovës dhe Serbisë, luftë që i ka lënë Kosovës shumë plagë, e vetmja mënyrë është pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve. Pajtimi duhet të vijë me njohje dhe pa pazare të ndyta tjera në dëm të shqiptarëve, përndryshe shqiptarëve nuk u mbetet rrugë tjetër përveç krijimit të një vlere te re”, u shpreh Haradinaj.
140 vjet më parë, më 10 qershor të vitit 1878, në Prizren u takuan 300 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallime fetare, me qëllim hedhjen e bazave të kombit shqiptar, pasi Traktati i Shën Stefanit i nënshkruar mes Rusisë dhe Turqisë, nuk e njihte ekzistencën e Shqipërisë, territori i së cilës ishte i ndarë mes shteteve fituese.