“Gazetarët” e trillimeve po dëmtojnë informimin shqip në Luginë
Lokale

“Gazetarët” e trillimeve po dëmtojnë informimin shqip në Luginë

05.Mar.2013 22:13
0
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar ndaj artikullit t ë botuar në ‘Gazeta Shqiptare’ me titull: “Panariti: Presheva jo vetëm çështje e Serbisë”, i cili i referohet intervistës së Ministrit Panariti dhënë më 26 shkurt 2013 Agjencisë Informative “Presheva Jonë”, Ministria e Punëve të Jashtme sqaron edhe njëherë, se në titullin e artikullit dhe në përmbajtjen e intervistës ka citime të pasakta të Ministrit Panariti. Në funksion të transparencës për publikun, më poshtë gjendet teksti i intervistës së Ministrit Panariti dhënë Agjencisë Informative ‘Presheva Jonë’ .  Kjo nuk është hera e parë që drejtohen reagime ndaj të ashtuquajturit “gazetar”, Nefail Maliqi për dezinformata dhe shtrembërime të deklaratave të njerëzve të ndryshëm politik, institucional nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina. Andaj i nominuari “gazetar” me artikujt e tij të publikuar në agjencinë “Presheva Jonë” , me më shumë gabime gjuhësore sesa fjalë po dëmton seriozisht zhvillimin dhe avancimin e gazetarisë  në Luginë dhe njëkohësisht po ja humb edhe kredibilitetin  mediave serioze në këtë rajon. Asociacioni i Mediave të Pavarura të Luginës (AMPL), konsideron se veprimet e këtilla të “gazetarëve” që i plasojnë opinionit informacione të shtrembëruara e shpesh edhe të trilluara, nënçmojnë rëndë gazetarët  profesional dhe mediat e pavarura që po kontribuojnë në zhvillimin e proceseve pozitive në këtë rajon. AMPL, fton gazetarët dhe mediat  në Luginë të regjistruara sipas legjislacionit të Serbisë që t’i përmbahen etikës së gazetarisë dhe të jenë në shërbim të informimit të drejt e objektiv./Titulli.com/ ********************************************************************************************************** EDMOND-PANARITI-Gazetari : Z. Minister, sot gjendeni këtu në Gjenevë në Kombet e Bashkuara për të marrë pjesë në sesionin e Këshillit të OKB për të drejtat e njeriut. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite? Ministri Panariti: "Qëllimi i kësaj vizite është natyrisht të marrim pjesë në seancat e punimeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Është edhe një rast shumë i mirë që më jepet për t’u takuar me shumë personalitete, ministra, presidentë. Sot u takova me Presidentin e Republikës Federale Gjermane, por natyrisht pata edhe takim me një sërë ministrash, Ministren e shtetit të Britanise së Madhe, Ministrin Polak të Punëve të Jashtme dhe ministra të tjerë. Në këto takime diskutuam padyshim për çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut, reformave që shteti shqiptar ka ndërmarrë për të rritur nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut, veçanërisht minoriteteve, grupeve vulnerabël brenda shoqërisë shqiptare, të cilët kanë të gjitha të drejtat për të gëzuar të njëjtin status social-ekonomik sikurse të gjithë qytetarët e tjerë, gjë që garantohet nga Kushtetuta e Shqipërisë, por edhe nga aktet normative ndërkombëtare. Në këtë kuader, pa dyshim, vemendja jonë është përqendruar edhe në respektimin e te drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Respektimi i të drejtave të tyre duhet parë, natyrisht, në kuadrin e respektimit të të drejtave të njeriut të garantuara nga kartat e ndryshme të OKB-së, por edhe nga karta e autonomisë vendore të parashikuara nga Këshilli i Europës. Gazetari : Ketu desha të ndërhyj. Serbia ka thenë se problemi i Luginës së Preshevës është çështje e brendshme e Serbisë, se deri dje atje edhe Kosova ka qenë problem i brendshëm i Serbisë! Por të drejtat e njeriut janë një e drejtë gjenerale në përgjithësi ?! Ministri Panariti : Respektimi i të drejtave të minoriteteve, të komuniteteve, nuk mund të konsiderohet thjesht një çështje e brendshme e një shteti, se i bie që dhe çështjet e minoriteteve brenda shtetit Shqiptar, minoritetit grek, minoriteteve të tjera, të konsideroheshin çështje të brendshme. Por në fakt nuk janë vetëm çështje të brendshme të Shqipërisë, po jane çështje që i kapercejnë kufijtë e sovranitetit të një shteti dhe janë në trajtimin e së drejtës, kartave, konventave që shteti i nënshkruan për respektimin e këtyre të drejtave. Në këtë kuadër edhe respektimi i të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës është një çështje që i kapercen pa dyshim edhe suazat e një çështjeje të brendshme të Serbisë, është shumë më tepër se aq. Për këtë arsye, shteti shqiptar ka një vëmendje të posaçme dhe e ka edhe detyrë kushtetuese. Ne kemi një detyrim kushtetues, në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, kemi detyrim të interesohemi për statusin ekonomiko-social të të drejtave të bashkëkombësve tanë kudo që ata ndodhen, në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe kudo, apo edhe në Greqi. Prandaj Shteti shqiptar është i angazhuar dhe plotësisht i fokusuar në respektimin e këtyre të drejtave. Madje edhe gjatë vizitës që zoti Merkiç, Minister i Jashtëm i Serbisë bëri në Tiranë, në konferencën e përbashkët të shtypit, une theksova se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë do të kenë si kriter përcaktues edhe gjendjen e respektimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kështu që ne i mbetemi këtij qëndrimi dhe do të jemi vazhdimisht në linje me pozicionin tonë. Gazetari: Çeshtja e lapidarit, më shumë pati jehonë kur u prish, domethënë kur u largua, se sa kur u ndërtua, kjo në njëfare mënyre e sensibilizoi situatën......: Dhe u hoq ai lapidar që ishtë një e drejtë e vullnetit të popullit shqiptar, padrejtësisht. Bile aty flitet se u bë një kurth ku tradhtoi Serbia, si zakonisht, jo vetëm shqiptarët pa dijeninë e tyre, por edhe OSBE-në e ndërkombetaret sepse ishte marrëeveshje deri në ora 11 të nesërmen, ndërsa veç në mëngjes.... Ministri Panariti: Saktë, ju e thatë shumë mire, te gjithe ne shpresonim që të dy palët, komuniteti shqiptar dhe autoritetet serbe do të gjenin gjuhën e dialogut dhe u bënë përpjekje edhe me ndërmejtesimin e OSBE-së, pikërisht për të promovuar frymën e kompromisit dhe dialogut, për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për të dyja palët. Për fat të keq, gjërat nuk shkuan ashtu. Me një akt të njëanshëm të vetë serbëve, e larguan këtë monument dhe situata pak a shumë mori atë drejtim që ne tashmë e dimë. Unë mendoj që përsëri të dy palët duhen të ulen. Kjo çështje nuk duhet konsideruar e mbyllur, madje duhet të trajtohet më gjerë, si pjesë e një pakete bisedimesh midis autoriteteve serbe dhe autoriteteve lokale të Luginës së Preshevës, ku duhet të përfshihen edhe çështjet e dygjuhësisë, çështjet e statusit ekonomiko-social, simbolet e arsimimit, shkollimit, pra janë shumë më tepër komplekse problemet. Gazetari: Por lapidari ka qene nje kulminacion i te gjitha te zezave… Ministri Panariti : Mendoj që ne përsëri do të rrimarim edhe njëherë dialogun me Serbinë, duke kërkuar që më shumë përpjekje, më tepër kontribut, Qeveria Serbe duhet të japë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që ata të gëzojnë të gjitha të drejtat sikurse edhe qytetaret serbë në lemin ekonomik, në arsim, në kulturë etj. Dhe natyrisht ne jemi të vendosur për këtë, qe të kemi si të thuash, një impenjim më të madh të shtetit serb në këtë drejtim. Shteti shqiptar, nga ana tjetër, është i angazhuar për të rritur kontributin e tij në ndihmë të bashkëkombësve shqiptare të Luginës së Preshevës. Ju e dini që zoti Tavo e kishte planifikuar një vizitë në Beograd, pikërisht për të koordinuar përpjekjet me autoritetet serbe për të kontribuar për ndërtimin e maternitetit të ri të Preshevës, ku Qeveria Shqiptare ka alokuar një fond të konsiderueshëm për të investuar për ndërtimin e ketij materniteti. Unë gjithsesi mendoj që fryma e dialogut, fryma e bashkëpunimit, duhet tashmë të dominojë. Gazetari: Sot ka filluar, madje une e kisha nje koment se Serbia kohet e fundit ka mare me vrull...me gjet dialogun,.. duket sikur shantazhohen shqiptaret per tja arrite qellimet te veta, që Serbia ta marrë statusin kandidat; pardje ishte nje ministre serbe ne Preshevë, e cila tha do ta ndertojme maternitetin, e te gjitha te drejtat ..Mos po te shantazhohet Presheva me keto vizita e lutje per dialog deri ne Prill, sa t’ja arrijë qellimit Serbia, pastaj vazhdohet... Ministri Panariti : Une mendoj se është në interes, jo vetëm të Serbisë, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të rajonit, që fryma e dialogut, fryma e kompromisit, fryma e konsensusit të jetë instrumenti i vetëm që popujt të kenë midis tyre, që komunitetet të kenë midis tyre, për të garantuar një bashkëjetesë dhe bashkëqeverisje dinjitoze dhe për të avancuar proceset. Dhe në këtë pikëpamje, si model duhet të kemi padyshim dialogun Prishtinë- Beograd, i cili po ecën dhe që po përparon, tashmë po zhvillohet në nivelin më të lartë të mundshëm. Praktikisht Presidenti Nikolic u takua me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, dikush e kondsideron këtë hap ‘de facto’ dhe një njohje të Kosovës nga ana e Serbisë. Gjithsesi dialogu po avancon për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, e cila nuk prek sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe behet fjalë për komunat serbe në veri. Gazetari : Ka asociacione apo shkak që Serbia t’ia grabisë apo të ketë nje autonomi, të shkeputet plotësisht, si e vlerësoni këtë ? Ministri Panariti: Përgjithësisht ka disa opsione të hedhura në tavolinë, të cilat natyrisht duhen të diskutohen. Kryesorja është se askush nuk do të dëshironte që pjesa e Veriut të shkonte drejt një enklavizimi, pasi ne do të kishim modelin e Bosnjës, dhe ju e dini se çfarë situate kritike kemi në Bosnje. Kështu që praktikisht kemi vullnetin e mirë që Serbët e veriut të Kosovës të gëzojnë të gjitha të drejtat që u garanton Kushtetuta e Kosovës, apo aktet ndërkombetare. Natyrisht duhet të kemi kujdes që të mos ndërmarrim hapa, të cilat mund të cënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, sepse kjo nuk dëmton vetëm Kosovën, dëmton në përgjithësi stabilitetin, paqen e prosperitetin në Ballkan dhe krijon një precedent, i cili pastaj mund të afektojë të gjithë rajonin tonë. Gazetari: Domethënë ju zoti minister jeni kundër ndërrimit të territoreve, kundër copëtimit të Kosovës Ministri Panariti: Absolutisht. Qendrimi i Shqipërisë mbetet i përcaktuar. Shqipëria është për integritetin territorial të Kosovës, për sovranitetin e plotë të Shtetit të Kosovës me gjithë territorin e saj. Në këndvështrimin tonë, nuk kemi pse të aplikojmë standarde të dyfishta për serbët në veri të Kosovës, me serbët që janë poshtë lumit Iber, sepse kjo natyrisht nuk do të ishte në radhë të parë e drejtë. Aplikimi i standardeve të dyfishta, do të krijonte një precedent edhe për gjithë komunitetet e tjera dhe për bashkë ekzistencën e tyre në të gjithë rajonin. Prandaj ne po i ndjekim me shumë vëmendje edhe propozimet që po hidhen në tryezë. Megjithatë, unë mendoj që kjo është një çështje që u takon dy vendeve për ta zgjidhur, posaçërisht shtetit të ri të Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet dialogut që ata po zhvillojnë. Që ky dialog të avancojë, në radhë të parë, provë e rëndësishme do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadrin e BE-së. Nëqoftëse nuk zbatohen marrëveshjet e arritura midis Serbisë dhe Kosovës, atëherë pak shpresë ka që edhe marrëveshjet që do të hidhen në tryezë, të zbatohen. Prandaj kriteri do të jetë njëherë të zbatohen marrëveshjet e arritura në kuadrin e Bashkimit Europian midis Serbisë e Kosovës, posaçërist në menaxhimin e integruar të kufijve, dhe disa marrëveshje të tjera të rëndësishme për të shpresuar pastaj dhe për të dhënë garanci që ëdhe marrëveshjet që do të arrihen, të mund të implementohen në të ardhmen. Gazetari: Deri tash pesë vite që Kosova është shtet, Jeni optimist që Kosova do të anëtarësohet në OKB ? Ministri Panariti: Kemi sinjale shumë të mira që harta e njohjeve të Kosovës do të njohë një dinamikë të re këtë vit. Egjipti pothuajse e ka shpallur njohjen e Kosovës dhe shumë shpejt edhe Tunizia. Përpjekje po bëhen me Libanin. Unë personalisht po ndërmarr iniciativa edhe për njohjen e mundshme të shpejtë të Kosovës nga Sudani. Kështu që në koordinim me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, ne nuk po rreshtim së lobuari për të zgjeruar hartën e njohjes. Nga ana tjetër, ka edhe ndryshim të pozicionit, sado të ngadaltë, edhe të shteteve të BE-së. Më afër njohjes së Kosovës janë tashmë Sllovakia, Greqia, e cila ‘de facto’ i njeh dokumentat e udhetimit të Kosoves dhe ka hapur zyrën e Kosovës në Athinë. Këto janë hapa që shkojne drejt formalzimit të njohjes së shtetit të Kosovës. Kështu që une jam optimist, se Kosova do të jetë shpejt në gjendje për të aplikuar për anëtaresim në OKB, ndoshta, pse jo, fillimisht me statusin e vëzhguesit, për të synuar me pas, edhe një anëtarësim të shpejtë. Por natyrisht, kjo do të bëhet në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë, me SHBA-të, BE-në. Gazetari: Me aleatët tanë.. kur është fjala tek çështja e pasaportave, ...këtë privilegj e kemi edhe ne banorët e Luginës, bile të parët. Si qëndron puna te pasaporta, është një lajm i mirë për ne, së paku, të Luginës, pavaresisht se u bënë disa ... Ministri Panariti: Po, ju e dini që Kryeministri e premtoi këtë. Natyrisht, kjo do të bëhet brenda një kuadri të përcaktuar mirë ligjor dhe natyrisht edhe në koordinim me partnerët tanë, pasi ju e dini, që Shqipëria tashmë, me liberalizimin e vizave, i nënshtrohet edhe kritereve të lëvizjes në hapësirën Shengen dhe të gjitha këto demarshe duhen bërë me kujdes dhe në respekt të obligimeve që kemi ne ndaj partnerëve europianë për lëvizjen në hapësirën Shengen. Po ky është një hap, një gjest që kryeministri e ka ndërmarrë dhe do t'i përmbahet. Gazetari: Mos ka pasur ndonjë marrëveshje me Merkiçin, me kryeministrin kur ai ishte para dy muajsh ? rreth lapidarit ? jo s'ka pas.. Ministri Panariti : Jo, mesa di unë. Nuk di ndonjë marrëveshje me Kryeministrin Mërkic në këtë drejtim. Unë kam ndërmend që përsëri agjendën e përbashkët në bashkëpunim me Serbinë ta rrimarr sërish, pasi kjo është në interes jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Unë do të kërkoj, në radhë të parë, që gjatë vizitës time të planifikuar në Beograd.. Gazetari: Kur do e vizitoni? Ministri Panariti: Ne kemi planifikuar në komunikim me autoritetet Serbe, që unë të bëj një vizitë në Beograd. Por vizita ime në Beograd do të ndodhë vetëm atëherë, në rast se paraprakisht biem dakord për të nënshkruar marrëveshjen, ndryshe nuk do të kishte kuptim që ne vetëm të takohemi.. Gazetari: Çfarë marrëveshje? Ministri Panariti: Marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave, pra praktikisht unë i kam kërkuar z. Mërkic, madje këtë ia kërkova edhe në Tiranë, që ne të nënshkruajmë këtë marrëveshje. Zoti Mërkic m’u përgjigj që ai ende nuk ishte i gatshëm për ta bërë, por tha se po punonte në këtë drejtim. Unë nuk shikoj ndonje arsye pse ne të mos e firmosim këtë marrëveshje, sepse praktikisht Serbia këtë marrëveshje e ka me Kosovën. Nuk shikoj arsye përse të mos e krijojë edhe me shqiptarët e Preshevës. Kështu që unë jam optimist që ne do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje, plus edhe marrëveshje të tjera të rëndësishme si: njohja reciproke e lejeve të drejtimit të automjeteve, në fushën e transportit etj... sepse vetëm duke nënshkruar marrëveshje, ne hapim një rrugë të vërtetë bashkëpunimi me Republikën e Serbisë dhe mbrojmë edhe më mirë interesat e shqiptarëve të Preshevës. Gazetari : Faleminderit!
Kamberi: Më mirë opozitë krenare se sa pushtet i turpit
Bujanoci ndan 544 bursa për studentët (rezultatet)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration