Lokale
Eigner: Do të ndihmojmë zhvillimin ekonomik në Luginë
Në Luginë sot ka qëndruar ambasadori i Austrisë në Beograd Johannes Eigner i cili me këtë rast ka premtuar ofrimin e ndihmës për zhvillim ekonomik të rajonit
Ambasadori Eigner gjatë qëndrimit të tij në Luginë është takuar me përfaqësuesit institucional, si kryetarët e komunave Bujanoc dhe Preshevë, Nagip Arifin dhe Ragmi Mustafën si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Galip Beqirin.
“Ne jemi të interesuar që përmes financimit të punimeve të Qendrës Rajonale për Zhvillim të ndihmojnë ngritjen ekonomike në këtë rajon,” ka thënë për gazetarët ambasadori Eigner pas takimit në Bujanoc, raporton Titulli.
Ai ka thënë se Agjencioni Austriak për Zhvillim ka investuar 2.5 milion euro për të themeluar dhe futur në funksionim Qendrën Rajonale Zhvillimore, pjesë e së cilës është edhe projekti për financimin e prodhimit të ushqimit organik.
“Agjencioni Austriak për Zhvillim është i interesuar për të ndihmuar Qendrën Rajonale për Zhvillim të Leskocit pasi që ajo me punën e vet mbulon edhe komunat Preshevë dhe Bujanoc dhe në këtë mënyrë ndihmojmë zhvillimin ekonomik edhe në vendet ku jeton bashkësia shqiptare,” ka përfunduar ambasadori Johannes Eigner.
[caption id="attachment_59939" align="aligncenter" width="640"] Nagip Arifi dhe Johannes Eigner[/caption]
Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka thënë se gjatë takimit është biseduar për situatën e fundit në Bujanoc.
“Me ambasadorin Eigner biseduam për situatën politike dhe ekonomike në Bujanoc si dhe me rrjedhën e bisedimeve në mes të përfaqësuesve të partive politike shqiptare dhe Trupit Koordinues, në këtë drejtim besojë se do të kemi përkrahjen e ambasadave të ndryshme dhe para së gjithash edhe të ambasadës së Austrisë në Beograd,” është shprehur Arifi.
Ndërsa siç ka njoftuar KKSH përmes një kumtese, ambasadori austriak ka thënë se “do ta mbështes fuqishëm Këshillin Kombëtar Shqiptar në proceset që tashmë ka nisur në kuadër të kompetencave që ky organ i gëzon”.
Nga ana tjetër Beqiri ka reaguar për dinamikën e ngadaltë të zgjidhjeve të problemeve të shqiptarëve nga autoritetet qeveritare serbe, ndërkohë që ka kërkuar nga ambasadori që të ushtrojnë ndikimin e tij si dhe të vazhdoj përkrahja e proceseve të Këshillit Kombëtar Shqiptar./Titulli.com/
[caption id="attachment_59940" align="aligncenter" width="640"] Johannes Eigner dhe Galip Beqiri[/caption]
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!