Lokale
Dyshohet për varr masiv në Svircë të Medvegjës
Në takimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH), Kryesuesi i KQPZH-së, njoftoi të pranishmit mbi rrjedhën e seancës së Grupit Punues për Persona të Zhdukur (në mes të delegacionit të Prishtinës dhe delegacionit të Beogradit, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq), mbajtur më 31 maj 2013, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në veçanti mbi përgatitjet dhe kërkesat e parashtruara nga ana e delegacionit të Prishtinës, gjatë këtij takimi, duke vënë theksin në ri-parashtrimin e kërkesës për ‘rastin e Rashkës’.
Rreth seancës së Grupit Punues për Persona të Zhdukur dhe Publikimit të Librit për Persona të Zhdukur (botimi i 5-të), të pranishmit në takim i njoftoi edhe kryesuesja e këtij Grupi Punues, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, znj. Lina Milner, e cila ndër të tjera shprehi mirënjohjen për Komisionin Qeveritar me rastin e organizimit të seancës së Grupit Punues për Persona të Zhdukur dhe ritheksojë angazhimin e të dy palëve në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, duke kërkuar përpjekje të vazhdueshme me qëllim të ofrimit të informatave të reja që do të mund t’i kontribuonin procesit.
Rreth kërkesave të paraqitura në seancën publike të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, më në hollësi të pranishmit u njoftuan nga udhëheqësi i Njësisë së KQPZH-së, z. Kushtrim Gara, i cili ritheksoi kërkesën për ‘rastin e Rashkës, me tri lokacionet e supozuara në këtë regjion’ (së bashku me raportin e detajuar për hapat që duhet të ndërmerren, i përgatitur nga ekspertët e EULEX-it), pastaj të dhënat mbi 32 lokacionet e gërmuara, nga periudha kohore 01.11.2012 – 30.05.2013, ku më këtë rast janë zhvarrosur mbetjet mortore të 31 personave.
Po ashtu, sipas z. Gara, Delegacioni i Prishtinës, me këtë rast ka paraqitur edhe Raportin përmbledhës pas shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha rasteve të mbetjeve mortore të paidentifikuara, që mbahen nën kujdesin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, aktivitet ky i realizuar me një profesionalizëm të lartë nga ekspertët e EULEX-it, sipas kërkesave të Qeverisë së Kosovës dhe planeve strategjike të EULEX-it. Kërkesë e re, gjatë këtij takimi, ishte parashtrimi i kërkesës për institucionet e Serbisë, për të filluar procedurat më qëllim të inicimit për rastin e Svircës – Komuna e Medvegjës.
Anëtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në këtë takim dhanë pëlqimin rreth nismës dhe idesë së prezantuar nga z. Luigj Ndou, Përfaqësuesi Politik i Drejtoreshës së Përgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, rreth hartimit të një ‘Udhëzuesi për qasje në të drejtat e familjarëve të personave të zhdukur’, sipas legjislacionit në fuqi.
Gjatë takimit, të pranishmit u pajtuan që të fillohen procedurat për hartimin e Rregullores për Regjistrin Qendror dhe hartimin e një akti nënligjor për përkrahjen e Shoqatave Familjare të Personave të Zhdukur, nga ana e Komisionit Qeveritar.
Edhe me këtë rast, familjarët e personave të zhdukur, paraqitën shqetësimet e familjarëve rreth respektimit te të drejtave të tyre, të garantuara me ligj, dhe në përgjithësi procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Ku, pyetjeve të tyre iu përgjigj edhe Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Daut Xhemajli, i cili edhe një herë ritheksojë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që çështja e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur të vazhdojë të jetë prioritet për institucionet shtetërore dhe në veçanti për Ministrinë e Drejtësisë.
Në fund të takimit, përfaqësuesi i Shoqatave Familjare të Personave të Zhdukur, në KQPZH, përshkroi kërkesën e familjarëve për t’iu drejtuar Parlamentit Evropian për miratimin e një Rezolute, me theks të veçantë rreth angazhimit më aktiv të Bashkimit Evropian në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, në veçanti që kjo çështje të përfshihet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe trysninë ndaj palës serbe për ofrimin e të dhënave për fatin dhe vendndodhjen e personave që vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur, ku krahas anëtarëve të Komisionit, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Shoqatave Familjarëve të Personave të Zhdukur dhe përfaqësuesit e institucioneve/organizatave vendore e ndërkombëtare të përfshira në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!