Dy lagje shqiptare në Medvegjë me ura të reja (Foto)
Dy lagje shqiptare në komunën e Medvegjës: "Çokotanët" dhe "Rekalitë", njëra në Medvegjë e tjetra në Banjë të Sjarinës po bëhen me ura të reja.Në lagjen "Rekalitë" në Banjë të Sjarinës ura e vjetër është dëmtuar në muajin maj të këtij viti nga vërshimi i lumit dhe pak ditë më parë në të njëjtin vend është ndërtuar ura e re, ndërsa në lagjën "Çokotanët" në Medvegjë ura po ndërtohet për herë të parë në këtë lokacion me qëllim të përmirësimit të jetës së banorëve.
"Kjo është ura e tretë që po ndërtohet, dy tashmë kanë përfunduar, njëra në Mërrkonjë/Bogunovc ndërsa tjetra në Banjë të Sjarinës. Ura e tretë ka filluar të ndërtohet në lagjën Çokotanët", bën të ditur kryetari i komunës së Medvegjës në detyrë, Florim Sahiti, raporton "mepress".
Ai shtoi se urat do të jenë të qarkullueshme për këmbësorë, automjete me peshë deri në 2,5 tonelata. Punimet po ekzekuton NKP "Obnova", ndërsa vlera individuale e një ure kapë shumën prej rreth 500.000 dinarë. Ndërtimin e urave financon Kuvendi Komunal Medvegjë.
Nga marrja e kompetencave të kryetarit të komunës së Medvegjës nga ana e zëvendëskryetarit Florim Sahiti, punimet në vendbanimet shqiptare janë intensifikuar.
Foto: MePress