Lokale
“Shqiptarët e Luginës problemet t’i zgjidhin brenda institucioneve të Serbisë”
Ambasada e Shqipërisë e vlerëson lartë pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të shqiptarëve të Luginës si dhe zgjedhjen e dy deputetëve që do të përfaqësojnë interesat e këtyre banorëve në organin më të lartë, Parlamentin e Serbisë.
Në një intervistë dhënë ekskluzivisht portalit informativ Titulli, Ernal Filo, i ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd tha se me pjesëmarrje në zgjedhje shqiptarët e Luginës kanë treguar një pjekuri politike.
Po sot nga Tirana, Ambasadori i sapo caktuar nga shteti amë për në Beograd, Ilir Boçka, ka uruar deputetin nga Bujanoci Shaip Kamberin me fjalët, “Ky është një moment mjaft i rëndësishëm në karrierën tuaj si politikan, si përfaqësues i vullnetit të të zgjedhurve”, thuhet ndër të tjera në urim, të cilin të plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Titulli: Sa është e rëndësishme pjesëmarrje e shqiptarëve të Luginës në jetën institucionale qendrore në Beograd?
[caption id="attachment_113137" align="alignleft" width="300"] Ernal Filo, i ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd[/caption]
Ernal Filo: Ambasada vlerëson kulturën e lartë demokratike dhe tolerancën e treguar nga forcat politike shqiptare si gjatë fushatës, ashtu edhe përgjatë procesit te zhvillimit te zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Krahët e ndryshëm të politikës në Luginë, siç edhe ishte bërë e ditur, zgjodhën alternativa të ndryshme, ku dikush vendosi të marrë pjesë dhe dikush tjetër vendosi t'i bojkotojë ato, por e rëndësishme është që nga këto zgjedhje shqiptarët e Luginës së Preshevës dhanë një mesazh përgjegjësie dhe treguan pjekuri politike. Ju e dini që si Tirana zyrtare, ashtu edhe Prishtina, në mënyrë të vazhdueshme u kanë bërë thirrje elektoratit shqiptar të Luginës së Preshevës për të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe për të bashkëpunuar që problemet e tyre t'i zgjidhin brenda institucioneve të Serbisë dhe në valën e proceseve integruese të tij. Rezultati që doli ishte interesant dhe mbase mund të jetë objekt diskutimi për një kohe të gjatë në forumet e partive shqiptare, veçanërisht atyre qe vendosën të bojkotojnë. Ky moment mund të jetë një rast i mirë për të reflektuar, megjithatë, për mendimin tonë rëndësi ka pjesëmarrja si dhe niveli e kultura e debatit politik. Me këtë rast, dëshirojmë që të përgëzojmë dy kandidatët fitues të mandateve, Z. Riza Halimi dhe Z. Shaip Kamberi. E rëndësishme është që kjo frymë demokratike dhe përkushtimi i aktivistëve të partive politike t'i shërbejë qëllimit të përfaqësimit sa më dinjitoz të interesave të zgjedhësve në Parlamentin e Serbisë si dhe gjetjes së mundësive dhe hapësirave ligjore për t'i realizuar të drejtat e tyre në një masë sa më të madhe dhe reale.
Titulli: Shqiptarët do të përfaqësohen në Kuvendin e Serbisë me dy deputet. Si e vlerësoni këtë rezultat të zgjedhjeve?
Ernal Filo: Ne vlerësojmë zgjedhjen e të dy deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë dhe ju urojme atyre sukses në misionin e tyre fisnik për të përfaqësuar sa më denjësisht zgjedhësit e tyre, si ata që i votuan, ashtu edhe ata që këtë herë zgjodhën që të mos marrin pjesë në votime, për të bërë më të mirën brenda hapësirave që lejon parlamentarizmi, për të marrë përgjegjësi si dhe për të kërkuar të drejta brenda kuadrit që i ofron kushtetuta e vendit, në mënyrë që këto të drejta të jenë sa më të prekshme për shqiptaret e Luginës së Preshevës.
Titulli: A duhet të bëhen pjesë të qeverisë deputetet shqiptar, nëse ftohen nga Vuçiq?
Ernal Filo: Për sa i përket pyetjes Tuaj, mendoj se u takon faktorëve politik shqiptare, forumeve te partive dhe vetë subjekteve që i kanë fituar këto mandate në parlament që të bëjnë analiza të thelluara të të gjitha aspekteve dhe pas kësaj të vendosin nëse do të marrin pjesë në qeverisje, duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që sjell një vendim i tillë, apo të qëndrojnë në opozitë. Më e rëndësishme është që të mbahet gjithnjë parasysh fakti se ata janë bartës të vullnetit të popullit që i ka deleguar dhe një gjë e tillë nënkupton marrjen e përgjegjësive dhe për ta realizuar ate gjithnjë në mënyrë aktive në të mirë të të gjithë qytetarëve në Luginë të Preshevës, pa dallime partiake.
Titulli: Çfarë prisni nga qeveria e re e Beogradit ndaj zgjidhjes së problemeve shqiptare në Luginë?
Ernal Filo: Në radhë të parë po presim, ashtu siç po presin të gjithë në Serbi, që të bëhet e njohur qeveria e re si dhe të shpallet publikisht programi i saj në mënyrë që të gjykojmë për më tej. Ne presim që me qeverinë e re, pavarësisht nga formati që do të ketë ajo, të vazhdojmë bashkëpunimin e filluar dhe urojmë që të gjejmë rrugë e mundësi për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim në fushat ku ka interes të ndërsjellë. Sigurisht që edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës urojmë që qeveria e re të ketë një qasje dhe vëmendje më të madhe për të dëgjuar hallet dhe problemet me të cilat ata përballen ku një vëmendje e posaçme t'i jepet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Luginës së Preshevës, si një element kyç për mirëqenie dhe stabilitet. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!