Delegacioni i PVD-së vizitë në institucione të ndryshme të Kosovës
Një delegacion i kryesisë së PVD-së ka zhvilluar vizitë në disa ministri dhe në parlamentin e Kosovës dhe kërkuan se ështja e shqiptarëve të Luginës duhet të vendoset në prioritet dhe të jetë pjesë e dialogut.
"Vizita jonë filloi me Ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u takuam me ministren znj. Vlora Dumoshi, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me ministren znj. Hykmete Bajrami dhe përfunduam vizitën në Parlamentin e Republikës së Kosovës me kryeparlamentaren znj. Vjosa Osmani.Diskriminimi permanent në çdo sferë të jetës, mos implementimi i marrëveshjeve nga Beogradi zyrtar, mos integrimi i shqiptarëve në institucione shtetërore, papunësia në shkallën më të lartë, mos njohja e diplomave, problemet me tekstet shkollore dhe shumë probleme me rëndësi jetike që po shkaktojnë largimin e të rinjve nga Lugina ishin temë e takimeve", thuhet në njoftimin e PVD-së.
Sipas këtij njoftimi thuhet se u bisedua për pozitën e shqiptarëve në Luginë që ditë e më shumë shqiptarët e kësaj treve po përballen me shpërnguljen masive dhe spastrimin ne heshtje sidomos kohëve të fundit më aktuale është pasivizimi i adresave.
Ky delegacion ka kërkuar të përkrahen aktivitetet kulturore, bibliotekat, donacionet në sferën e kulturës.
"Ndërsa theks i veçantë në Ministrinë e Arsimit ndër të tjerave ishte edhe rritja e kuotave të studentëve për regjistrim në fakultete shtetërore, kuotat për pranim në konvikte, mundësia e donacioneve nëpër shkolla", thuhet mes tjerash në njoftimin e PVD-së./Titulli.com/