Lokale
Dekreti për lehtësim në punësim që Lugina nuk e dinte?
Me 31 maj të vitit 2011, Qeveria e Serbisë kishte aprovuar dekretin (vendimin) për nxitjen dhe lehtësimin e punësimeve me subvencion në sektorin privat por ky vendim i aprovuar nga organi ekzekutiv më i larti Shtetëror asnjëherë nuk ishte promovuar publikisht për Komunën e Bujanocit.
Vendimi ka të bëj me lirimin e pagesës të tatimit për pagat dhe lirimi i pagesës së kontributeve, sigurimit shëndetësor dhe social edhe ate për 12 muajt e ardhshme nga momenti i punësimit të punëtorit të ri.
Nexhat Behluli përfaqësues i Zyrës për Zhvillim Ekonomik dhe koordinator për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, portalit Titulli.com i shpjegoi se si arriti të zbulojë këtë dekret që Bujanoci nuk e dinte.
“Javën e kaluar ishim në një takim pune në Entin Nacional për Punësim me qendër në Beograd ku temë e takimit ishte një çështje e natyrës tjetër dhe po në atë takim kuptova nga zëvendës Drejtori i Entit Nacional për punësim se Qeveria e Serbisë qysh në maj të vitit 2011 kishte sjellur një dekret (vendim) të tillë i cili për afaristët dhe punëdhënësit privat të Komunës së Bujanocit nuk ishte i njohur”, u shpreh Behluli.
Ai dyshon se ky dekret nuk është bërë i njohur për Bujanocin për disa arsye.
“Dyshoj se ky vendimi nuk është bërë i njohur me qëllim dhe me prapavijë të caktuar. Është mbajtur i fshehur dhe larg opinionit për bizneset e komunës tonë me vet faktin se kurrë nuk ka pasur promovim dhe njoftim publik të këtij vendimi të Qeverisë Serbe”, thekson përfaqësuesi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në Bujanoc.
Behluli thotë se këtë privilegj mund ta ketë shfrytëzuar edhe ndonjë ndërmarrje nga Bujanoci për subvencione nxitëse dhe stimuluese për punësim të punëtorëve të rinj, mirëpo ai shprehet se publikimi i këtij vendimi nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani dhe shumica e punëdhënësve nuk kanë qenë të njoftuar.
Zyra për Zhvillim Ekonomik në Bujanoc tani e posedon këtë dekret dhe fton bizneset dhe afaristët e ndryshëm të sektorit privat që të paraqiten në këtë zyrë për të marr kopjen e këtij vendimi dhe instruksionet në mënyrë që t’i shfrytëzojnë këto lehtësime dhe subvencione për punësimin e fuqisë punëtore të re.
Vendimi (dekreti) në fjalë nuk vlen për sektorin publikë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!