Cilat janë sfidat e mediave në Luginë të Preshevës? (Video)
Lokale

Cilat janë sfidat e mediave në Luginë të Preshevës? (Video)

05.Jun.2015 08:58
0
Sipas të dhënave të Ministrisë për kulturë dhe informim në Serbi ekzistojnë më shumë se një mijë media. Sipas ligjit të ri të mediave, afati i fundit për privatizimin e mediave publike është data një korrik, kur duhet të privatizohen 72 shtëpi mediale.

Edhe në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ka një numër të madh të mediave, shumica në pronësi private, e tre media që sipas ligjit duhet të privatizohen janë mediat që financohen nga buxhetet komunale të këtyre komunave, Radiotelevizioni i Preshevës, Radiotelevizioni i Bujanocit dhe Radio Medvegja.

Pasi që me ligjin mbi këshillat nacionale, këshilli kombëtar i një pakice në Serbi ka të drejtë të themelojë medium në gjuhën e vet amtare, Këshilli Kombëtar Shqiptar - KKSH në mars të këtij viti ka marr vendim të themelojë Radiotelevizionin shqiptar të Luginës, i cili selinë do ta ketë në Preshevë.

Kryetari i komisionit për informim pranë KKSH-së, Hevzi Ramadani, konfirmon vendimin për themelimin e Radiotelevizionit shqiptar.

Duke pasur parasysh se KKSH me buxhetin e tij nuk do të mund të financonte funksionimin e një radiotelevizioni, kryetari i komisionit për informim, thotë se për sigurimin e pajisjeve për këtë medium kanë premtime nga donatorë dhe ambasada të huaja që do të ndihmojnë, ndërsa për buxhet do të fokusohen tek mjetet e komunës që i dedikohen KKSH-së, si dhe kanë kërkuar nga ministri përgjegjës që të caktohet një fond për mediumet që kanë themelues këshillat nacionale.

Ramadani shton gjithashtu se KKSH së bashku me këshillat tjerë nacional në Serbi kanë kërkuar nga ministri për kulturë dhe informim që pushteteve lokale në komunat ku jetojnë pakicat t’i mos i hiqet e drejta për financim të mediave lokale dhe mediat ekzistuese të mbesin në formatin aktual.

Korrespondenti i Radiotelevizionit të Kosovës nga Lugina e Preshevës, ish kryetar i komisionit për informim prën KKSH-së, Baki Rexhepi, gjendjen aktuale të informimit shqip të këtij rajoni e vlerëson si jo të lakmueshme, ndërsa privatizimin e mediave publike të arsyeshëm.

“Nuk kemi media kualitative, nuk kemi gazetari hulumtuese, por kemi një gazetari që është në shërbim të politikës”, thotë Rexhepi, duke shtuar se privatizimi i mediave që themelues kanë kuvendet komunale është i arsyeshëm.

Sipas tij, nuk është mirë që një medium të jetë i përqendruar vetëm në punë protokolare të komunës, duke marr parasysh edhe faktin se ekzistojnë edhe mediume që janë të detyruar të sigurojnë buxhetin e tyre.

Sipas fjalëve të gazetarit Baki Rexhepi, me riorganizimin e mediave, mediat private do të kenë perspektivë në të ardhmen, ndërsa publikun dhe donatorët e huaj do t’i tërheqin me kualitet dhe punë serioze.

Si një storie të suksesit ai e thekson portalin Titulli.com, duke thënë se rruga e këtij mediumi duhet të ndiqet.

Drejtori i Televizionit privat “Spektri” nga Bujanoci, Jeton Ismaili, gjendjen e informimit shqip në Luginën e Preshevës e quan të “mjegulluar”, siç është edhe gjendja politike dhe ekonomike në këtë rajon.

“Pasi jemi në vitin e ndryshimeve të ligjeve të mediave, një pasqyrë e qartë e informimit dhe mediave në gjuhën shqipe do të dihet qysh në fillim të vitit të ardhshëm”, thotë Ismaili.

Ndërsa, për shkaqet që kanë ndikuar që mediat të jenë në këtë gjendje, Ismaili thotë se “kur janë në pyetje mediat elektronike tradicionale, në radhë të parë ka ndikuar konkurrenca jolojale, pasi kanë ekzistuar mediat që themelues kanë komunat me buxhet të garantuar, dhe lënia pasdore e këtij rajoni në aspektin ekonomik ka ndikuar mjaftë që të hyrat e marketingut të këtyre mediave të janë të mangëta, e që kjo ka ndikuar në politikat editoriale të mediave”.

Sipas Ismailit, komunat e Luginës fatkeqësisht akoma nuk e kanë të qartë interesin publik, pasi siç thotë ai “kur ndahen mjetet nuk duhet patur parasysh se ato jepen vetëm për pasqyrimin e aktiviteteve të tyre ose agjendave ditore, por interes publik është zhvillimi i gjeneratave të reja, kultura, historia dhe e kaluara jonë në mënyrë që të kemi produkte sa më cilësore në lëminë e gazetarisë”.

Ndërkaq për Fidan Kosumin, gazetar i Radio Medvegjës, privatizimi i mediave publike është një proces i përshpejtuar, pasi në këtë komunë privatizimi eventual i këtij mediumi që financohet nga buxheti i komunës rrezikon informimin në gjuhën shqipe në Medvegjë, që cenon të drejtën e pakicës shqiptare për informim në gjuhën e tyre amtare.  

Edhe për Kosumin, gjendja jo e mirë ekonomike në këtë rajon ndikon që mediat nuk mund të mbijetojnë nga marketingu.

Sipas tij, tregu duhet të jetë i hapur për të gjithë, por mediat publike duhet ende të mbështeten e poashtu nëpërmjet programeve të ndryshme të mbështeten edhe mediat private.

Përndryshe, sipas të dhënave të nxjerra nga terreni në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë gjithsej janë në funksion 28 mediume të shkruara, elektronike dhe online. Vetëm në Bujanoc deri në janar të vitit 2015 kanë funksionuar 17 mediume, tre të shkruara, dy radio, dy televizione, tetë portale informative dhe dy operatorë kabllorë./Titulli.com/

VIDEO

 
 
 
Ja si u vra djali i vetëm i familjes nga Rahovica e Preshevës
Musliu takohet me përfaqësuesit e Ombudspersonit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration