Cakaj: Për herë të parë në Medvegjë hapet zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë të ditur se me mbështetjen e drejtpërdrejtë politike, financiare dhe institucionale të Shqipërisë, sot për herë të parë janë hapur zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë.
Sipas Cakajt, kjo zyrë do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen dhe lartësimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Medvegjë.
Cakaj, në llogarinë e tij në "Facebook", ka shkruar se hapja e kësaj zyre ka qenë detyrim i kamotshëm i Shqipërisë, por tani është imponim i disa rrethanave politike siç është procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve ka zvogëluar dukshëm peshën politike të faktorit shqiptar në Medvegjë.
"Kjo zyrë, në bashkërendim të plotë me Shqipërinë, duhet të punojë fort në kundërshtimin e politikave të fshirjes krejtësisht të qëllimshme të adresave të shqiptarëve. Medvegja është pjesë e patjetërsueshme e Luginës së Preshevës dhe puna jonë për mbështetjen e faktorit shqiptar edhe në këtë qytet do të vazhdojë me përkushtim të plotë", ka shkruar ai.
Ai po ashtu bëri të ditur se shumë shpejt do të fillohet edhe me programin e plotësimit shkollave me literaturë shqipe dhe trajnimit të mësuesve shqiptarë në Medvegjë.
"Shqipëria duhet dhe do të vazhdojë mbështetjen politike dhe institucionale për të gjithë shqiptarët në rajon", ka shkruar ai në "Facebook".