Lokale
Bushati në veprim, ja propozimet e mundshme
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë sërish do të jetë qendër e vëmendjes kur janë në pyetje zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të parapara për 16 mars, dhe pjesëmarrja ose jo e shqiptarëve të Luginës në to.
Në këtë drejtim, kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, ka ftuar për nesër në një takim krerët e institucioneve nga Lugina, Riza Halimi-deputet popullor, Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit, Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës dhe Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Takimi ishte paraparë të mbahet në orët e paradites, por për shkak të takimit me ministrin kosovar të financave, në Prishtinë, të kryetarëve të komunës së Bujanocit dhe Preshevës, takimi me Bushatin do të realizohet në orët e mbrëmjes.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në takim ka ftuar vetëm krerët institucional e jo mbarë drejtuesit e subjekteve politike, ngase në takimin e fundit që kishte ndodhur para dy jave, ai kishte këmbëngulur që Lugina mos të shkoj më në takime me dhjetëra individë, por delegacioni të kufizohet vetëm me krerët institucional.
Spektri Info ka arritur të kuptoj se në agjendën e Bushatin me prijësit e institucioneve nga Lugina do të jenë variantet e ndryshme rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Varianti i parë do të jetë që blloku i subjekteve që ka dal kundër pjesëmarrje në zgjedhje, megjithatë të formoj një koalicion dhe kështu të lihet mundësia që Lugina të garojë me dy lista, e që për rezultat të mundshëm të kishte sigurimin e dy ulëseve në Parlament.
Varianti i dytë i bisedave do të jetë që subjektet që kanë dal për mospjesëmarrje në zgjedhje mos ti bëjnë thirrje elektoratit të tyre të bojkotojë zgjedhjet, por t’ua lënë të hapur mundësinë vet votuesve të vendosin sipas bindjeve personale.
Varianti i tretë që do ta sugjeroj MPJ e Shqipërisë, do të jetë që të përkrahet në heshtje deputeti i ardhshëm nga PVD, por me kusht që gjatë mandatit ai ta ngrij pozicionin në subjektin e vet politik dhe mos të identifikohet si përfaqësues vetëm i një partie politike.
Me një fjalë, ministri Bushati nesër në tavolinë do të paraqesë shumë opsione, ndërsa varet nga udhëheqësit e subjekteve politike të Luginës, veçanërisht nga Ragmi Mustafa i Partisë Demokratike Shqiptare-PDSH dhe Nagip Arifi i Partisë demokratike-PD se cilat do të jenë të pranueshme apo të gjitha këto do të jenë refuzuese.
Ky shkrim është përgatitur si kronikë televizive në Spektri Info të datës 13.02.2014
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!