Lokale
Bujanoci pjesëmarrës i Forumit të biznesit dhe investimeve në Tiranë
Komuna e Bujanocit do të jetë pjesëmarrëse e edicionit të dytë të Forumit të Biznesit dhe Investimeve Shqipëri-Kosovë-Maqedoni i cili zhvillohet të mërkurën në Tiranë.
Në këtë Forum Bujanocin do ta prezantoj kryetari i komunës, Nagip Arifi dhe koordinatori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal, Nexhat Behluli.
“Forumi i Biznesit dhe Investimeve organizohet me rastin e vizitës në Shqipëri të Visar Fida, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Investimet e Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë dhe Menderes Kuçi, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore”, thuhet në njoftimin e zyrës për Zhvilli, Ekonomik Lokal pranë kësaj komune.
Delegacionet e biznesit të nivelit të lartë pjesëmarrës në këtë forum, do të fokusohen në investimet e huaja direkt dhe agro biznes.
Gjatë prezantimeve në forum, Zyra për Zhvillim Ekonomik Lokal e komunës së Bujanocit do të ofrojë një pasqyrim më të ri të situatës ekonomike në këtë komunë dhe në përgjithësi në Luginë si dhe do të prezantojë mundësitë e biznesit në këtë rajon.
“Ndër të tjera, pjesëmarrësit në këtë forum biznesi dhe investimi do të kenë mundësinë të njihen dhe të diskutojnë mbi investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit në biznes mes relacioneve Tiranë-Prishtinë-Shkup-Bujanoc”. Pas prezantimeve do të organizohet një Mini Panair – Degustim i Verërave dhe Ushqimeve, “ B2B “ dhe Seanca-Rrjeti ndërmjet pjesëmarrësve nga Maqedonia dhe Shqipëria”.
Që pas nënshkrimit të Marrëveshjeve për bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë-Veriperëndimore, komuna e Bujanocit është pjesë e pandarë e forumeve dhe panaireve të këtilla.
Zyra Lokale për Zhvillim Ekonomik ka në plan që një forum me përmasa të mëdha të biznesit dhe investimeve potenciale, në një të ardhme të afërt, ta organizoj edhe në Bujanoc./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!