Bujanoc: PD, LPD dhe PR fillojnë fushatën parazgjedhore, PVD do të nis të martën
Dy partitë shqiptare që ishin në koalicion qeverisës në komunën e Bujanocit në mandatin 2012 - 2016, Partia Demokratike dhe Lëvizja për Progres Demokratik, dhe subjekti më i ri lokal Partia republikane kanë nisur fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 prillit.Partia Demokratike e Nagip Arifit e ka filluar fushatën në fshatin Breznicë, për të vazhduar në Dobrosin, ndërsa sot do të mbajë tubime parazgjedhore në fshatrat Nesalcë dhe Osllarë.
Lëvizja e Progresit Demokratik, që udhëhiqet nga Jonuz Musliu, fushatën parazgjedhore e ka nisur në fshatin Dobrosin, ndërkaq në ditën e dytë shpalosi programin zgjedhor në fshatrat Turi dhe Osllarë të komunës së Bujanocit.
Partia Republikane e udhëhequr nga Avdil Ramadani ka nis fushatën elektorale në Malësi të Bujanocit kryesisht në fshatin Qarr prej nga e ka origjinën edhe lista e kandidatëve të kësaj partie.
Ndërkaq, partia opozitare gjatë këtij mandati Partia për Veprim Demokratik, do të hap fushatën parazgjedhore të martën me tubimin elektoral në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc./Titulli.com/