Lokale
Bujanoc, manifestim fetar kushtuar ditëlindjes së profetit Muhamed
Në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës në Bujanoc sot është organizuar manifestim fetar me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed a.s.
Programi fetar kushtuar ditëlindjes së profetit të fundit u organizua nga Departamenti i të Rinjve dhe Gruas pran Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI), ndërsa ai përmbante asherre nga Kur’ani, fjalime përshëndetëse, ligjëratë fetare, ilahi, pjesë të mevludit, monolog, recitime, etj.
Kryetari i KBI-së në Bujanoc Sulejman Fejzullahu, gjatë hapjes së programit, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje derisa shpjegoi se ky manifestim tashmë tradicional i kushtohet ditëlindjes së profetit Muhamed a.s., dritë për njerëzimin.
“Allahu e dërgoi profetin si thirrës në besimin në një Zot dhe kandil në errësirën që gjendej populli”, u shpreh mes tjerash kryetari i KBI-së në Bujanoc Sulejman Fejzullahu, raporton Titulli.
Magjistër Ragmi Destani, po nga kjo Bashkësi Islame në ligjëratën e tij shpjegoi historikun e Mevludit të organizuar për ditëlindjen e profetit të mbarë njerëzimit.
Ai mes tjerash tha se për herë të parë në mënyrë jozyrtare shënimi i ditëlindjes së profetit Muhamed ishte bërë në Kairo të Egjiptit në vitin 362 sipas kalendarit islamik, ndërsa zyrtarisht ishte manifestuar në shekullin e gjashtë në Irak.
“Nga dijetarët e Islamit të asaj kohe nuk ishte kundërshtuar shënimi i ditëlindjes së profetit. Tradita e shënimit të kësaj dite jozyrtarisht daton që para 1000 viteve, ndërsa zyrtare para 700 viteve”, u shpreh mes tjerash Ragmi Destani.
Në manifestimin e sotëm në të cilin përveç qytetarëve, imamëve nga Bujanoci e Presheva, morën pjesë edhe Avdulla Avdiu anëtarë i Bashkësisë Islame të Kosovës, Fikret Islami nga KBI në Preshevë, përfaqësues të institucioneve lokale si Galip Beqiri nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH), dhe Emrullah Lutfiu në emër të kryetarit të Komunës së Bujanocit Nagip Arifit, i cili njëherit edhe përshëndeti të pranishmit.
Këshilli i Bashkësisë Islame dega në Bujanoc edhe vitin e kaluar me manifestim fetar pat shënuar ditëlindjen e profetit, Muhamedit a.s./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!