Bllombohet objekti RTV "Presheva", goditjet e vazhdueshme bllokojnë punën
Zyra ku zhvillon aktivitetin RTV "Presheva" është bllombuar nga inspektoriati kundër zjarrit me asistencë të policisë lokale.
Ky është njoftimi i stafit të RTV "Presheva":
Në orët e pasdites së sotme, respektivisht diku rreth orës 16:00, inspektoriati kundër zjarrit me asistencë të policisë, ka mbyllur sërish institucione të komunës së Preshevës, themelues i së cilave është Kuvendi Komunal i Preshevës.
Edhe me këtë rast janë bllombuar dyert hyrëse të Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica”, Bibliotekës “Mehmet Isufi”, Radiotelevizionit “Presheva”, Zyrës për të rinjë, duke iu shtuar kësaj radhe edhe Zyra e Partisë Demokratike Shqiptare.
Lidhur me ribllombimin e këtyre institucioneve, arsyetimin se pse kjo po ndodhë nuk po e jep askush. Prandaj, vetëvetiu lindin pyetjet: Kujt po i pengojnë këto institucione, me fajin e kujt po bllombohen për të dytën herë, kush dha leje për heqjen e bllombave të vendosura ditë më parë, kush duhet dhënë përgjegjësi për këto, a ka të bëjë ky ribllombim me festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit apo është koinçidencë.
Edhe me këtë rast po përsërisim se një gjë e këtillë nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë në Komunën e Preshevës. Për Radiotelevizionin Presheva kjo është edhe një goditje e radhës pasi që ka gati një vit që nuk finansohet nga Komuna e Preshevës, kurse tani i duhet pa fajin e saj të ballafaqohet edhe me këtë problematikë.