Bllokimi i librave, në shqyrtim protestat
Pas bllokimit të teksteve mësimore për nxënësit e Luginës, donacion nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, spektri politik i Luginës së Preshevës kërkon marrjen e hapave të mëtejshme.Edhe pas kërkesës me shkrim të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) dërguar terminalit doganor, ku po mbahen 104.069 teksteve mësimore, me një vlerë mbi 203 mijë euro, ky organ nuk ka marrë përgjigje për lejimin e përdorimit të tyre.
Duke parë rrethanat e krijuara, mbrëmë (e premte), sipas informacioneve të cilat i ka siguruar portali informativ Titulli.com, në selinë e KKSH-së në Bujanoc është zhvilluar një takim mes liderëve shqiptarë.
Të takim morën pjesë kryetari i KKSH-së, Jonuz Musliu, kryetari i komunës së Preshevës dhe Bujanocit, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi si dhe kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Rahmi Zylfiu.
Sipas informacionit të konfirmuar, liderët të pakënaqur me vendimin për moslejim të teksteve mësimore në gjuhën shqipe, për nxënësit filloristë të Luginës së Preshevës, kanë kërkuar që të organizohet një protestë me kërkesën që shqiptarëve t’i jipet e drejta për të mësuar me tekste adekuate.
Spektri politik njëherit ka apeluar tek autoritet kosovare që të vendosin reciprocitet duke mos lejuar që tekstet mësimore nga Serbia për pakicën serbe në Kosovë të hyjnë në këtë vend.
Lidhur me situatën e krijuar, të shtunën, në selinë e KKSH-së është zhvilluar edhe një takim me drejtorët e shkollave.
Kryetari i këtij organi, Jonuz Musliu, pas mbledhjes së zhvilluar ka thënë se është prurë konkluzion që të martën, 27 tetor, ora e parë mësimore duhet t’i përkushtohet rëndësisë së mësimit me tekste mësimore në gjuhë amtare dhe bllokimit të tyre në terminalin doganorë.
Ky konkluzion duhet të zbatohet në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Luginë të Preshevës, në të dy ndërrimet.
Duhet theksuar se dy kamionët me libra që erdhën më 9 shtator në Luginë, kanë mbetur të bllokuar në terminalin doganor në Preshevë. /Titulli.com/