Lokale
Bilaç: Për 235 metra asfalt, 2.8 milionë dinarë
Në fshatin Bilaç të komunës së Bujanocit ka filluar asfaltimi i rrugës nga shkolla fillore “Desanka Maksimoviq” deri në qendër të fshatit.
Punimet e filluara sot do të përfshijnë një distancë prej 235 metrave ndërsa kjo distancë jo shumë e gjatë do të kushtojë 2.8 milionë dinarë (me tvsh).
Nëse krahasohet kjo vlerë me rrugën e Vranjës në Bujanoc (afër shkollës fillore Naim Frashëri) që u asfaltua në qershor të vitit 2013-të, që për 400 metra ishin ndarë 3.8 milionë dinarë, tani vetëm për 235 metra ndahen 2.8 milionë dinarë.
Përndryshe, fillimi i asfaltimit të kësaj rruge është mirëpritur nga banorët të cilët edhe më herët kishin kërkuar asfaltimin e saj, ndërsa një debat rreth mos asfaltimit të rrugës në fjalë ishte bërë edhe në Kuvendin Komunal të Bujanocit, ku këshilltarët nga radhët e opozitës në foltore kishin kërkuar që rruga të asfaltohet.
Që nga fillimi i vitit të ri, apo thënë më mirë që nga stina e vjeshtës, kjo është hera e parë që Drejtorati për Ndërtim fillon asfaltimin e ndonjë rruge në komunë të Bujanocit.
Portali informativ Titulli më herët kishte raportuar për stagnimin e punimeve në infrastrukturë, derisa disa pjesë të rrugëve të qytetit kanë mbetur të hapura dhe presin për sanim.
Ditë më parë për televizionin publik të Bujanocit drejtori i Drejtoratit për Ndërtim Agim Haliti kishte thënë se “Drejtorati për Ndërtim akoma është duke vuajtur pasojat e udhëheqësisë së mëparshme”, mirëpo, këtë e kishte mohuar ish drejtori i kësaj ndërmarrje, Driton Rexhepi, i cili në një intervistë për Portalin Informativ Titulli kishte thënë se “paralizimi i kësaj ndërmarrje që po e shohim tani është si pasojë e keqmenaxhimit dhe kolapsit që mbretëron në këtë ndërmarrje”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!