Begaj: Arbëreshët komunitet unik në botë, detyra jonë të ruajmë një gjuhë kaq të vjetër që mbrohet nga UNESCO
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës të mbajtur në Tiranë, ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit Arbëresh që jeton në Itali, për ruajtjen e gjuhës dhe traditave të vjetra shqiptare.
Në fjalën e tij kreu i shteti theksoi se gjatë vizitës së tij na Kalabri pa se sa mirë ishte ruajtur arbërishtja e vjetër e cila sot mbrohet nga UNESCO pasi konsiderohet si gjuhë e rrezikuar.
Shumë të dashur arbëreshë,
Të nderuar miq e të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Ju falenderoj për mundësinë t’i drejtohem këtij samiti me rëndësi specifike për të gjithë shqiptarët anembanë botës.
Jam i nderuar të flas në këtë ditë dedikuar arbëreshëve, jo vetëm për faktin që është hera e parë që mblidhemi në një aktivitet të tillë në kuadër të samitit të diasporës, por edhe sepse para një muaji pata fatin të vizitoja për herë të parë 13 katunde arbëreshe në Kalabri.
Fjalën time do ta filloj duke ndarë me ju disa nga përvojat e jashtëzakonshme që përjetova gjatë vizitës dhe falënderuar Kryetarin e Fondacionit të Institutit Rajonal të Komunitetit Arbëresh të Kalabrisë, Dr. Ernesto Madeo, si dhe të gjithë kryetrët e komunave që e bënë të mundur këtë vizitë.
Në Falkunara Albanese ndodhet një shkëmb mbi fshat, ku valëvitej me krenari flamuri kuq e zi. Sipas një rituali të lashtë, të rinjtë e kishin zakon të shkonin te ky shkëmb dhe nën hijen e flamurit kombētar të jepnin besën se do të ruajnë gjuhën, traditat, kulturën dhe identitetin e tyre.
Në Palagorio gjendet një kishë, kambanat e së cilës kanë të gdhendura shprehje shqipe për shendetin dhe janë të drejtuara nga Shqipëria e sa herë që bien, ato iu kujtojnë banorëve origjinën e tyre.
Dhe nuk mbaron këtu. Çdo fshat apo katund, siç e quajnë banorët, ruante veshjet popullore tipike. Çdo pritje ishte si një pamje e magjishme plot me ngjyra të kostumeve popullore.
Në fshatin Shën Mitër Korona, një vogëlushe 8 muajshe ishte e veshur e gjitha me kostum popullor. Për më tepër, në shumë komuna, sheshet publike mbanin emrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Është vërtet mbresëlënës e unikale çdo element që reflekton dashurinë për atdheun.Tek arbëreshët ne shohim veten në pasqyrën e historisë. Ata përbëjnë një thesar të paçmuar për të mësuar jo thjesht kush ishim, por edhe për të kuptuar më mirë se kush jemi.
Eksodi i tyre ishte dramatik, por historia e tyre është histori suksesi. Ata janë shembull i integrimit dhe i zhvillimit të një marrëdhënieje organike midis dy popujve fqinjë. Shqiptarë në origjinë dhe tashmë italianë, arbëreshët ruajtën me krenari traditat dhe gjuhën e të parëve.
Jo vetem kaq, por ata ndërtuan institucione që shkolluan, edukuan dhe diplomuan personalitete të Rilindjes italiane dhe shqiptare, siç është Kolegji i Shën Adrianit në Shën Mitër. Ky kolegj ka nxjerrë shumë figura të cilat kanë kontribuar në shtetformimin shqiptar dhe atë italian. Një prej tyre ishte Jeronim De Rada, ndër personaitetet më të rëndësishme të Rilindjes tonë. Ishte ai i cili botoi të parën gazetë në gjuhën shqipe: “L’Albanese d’Italia” (”Shqipëtarët e Italisë”).
Zonja dhe zotërinj, në botë është e rrallë të ndeshësh një komunitet kaq unik si komuniteti arbëresh, ndaj ne shqiptarët jemi me fat që kemi një pasuri të ruajtur nga koha çka përbën një thesar gjuhësor, zakonor dhe identitar.
Shumë popuj kanë dokumente të ruajtura, por ne kemi një komunitet të gjallë që prej 6 shekujsh na sjell nga larg jehonën e historisë tonë.
Arbëreshët na kanë dhënë shumë herë më tepër se çfarë ne mund t’u japim atyre në këmbim. Unik në shembull, ata kanë mbajtur gjallë një pjesë thelbësore të shqiptarisë pa kërkuar asgjë në këmbim.
Prandaj sot pyetja nuk shtrohet se çfarë duhet të bëjme ne për arbëreshët, por çfarë duhet të bëjmë që këtë pjesë të shqiptarisë ta ruajmë, kultivojmë, ta mbrojmë ta trashëgojmë?
Unë mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të shkruar një kapitull të ri në marrëdhëniet me arbëreshët. Përgjegjësia historike dhe veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm sepse pasojat do të prekin edhe brezat e ardhshëm. Ai duhet të orientohet në ruajtjen e arbërishtes dhe lëvrimin e saj nga brezat e rinj.
Arbërishtja ka vite që renditet nga UNESCO si ”qartësisht e rrezikuar” në atlasin e ”gjuhëve të rrezikuara të botës”. Kjo do të thotë mes të tjerash se fëmijët arbëresh në shtëpi nuk e mësojnë më arbërishten si gjuhën e nënës.
Mbijetesa e arbërishtes nuk është thjeshtë çështje shkencore. Për ne shqiptarët ajo është thelbësisht çështje identitare dhe si e tillë ajo ka rëndësi për interesat e kombit shqiptar. Në këtë kontekst çmoj iniciativën që arbërishtja të jetë pjesë e kurrikulës në të gjitha shkollat e Kalabrisë.
Gjithashtu e vlerësoj iniciativën për fillimin e transmetimit të programeve në gjuhën arbëreshe nga RAI Calabria. Po kështu vlerësoj edhe iniciativën që Radiotelevizioni publik shqiptar po ndërmerr me krijimin e një kanali televiziv për diasporën, në të cilin sigurisht do të promovohet edhe gjuha e kultura arbëreshe.
Ndërtimi i një marrëdhënieje të re me arbëreshet duhet të përqendrohet edhe te shkëmbimet e përvojave e ndërveprimet njerëzore. Ne duhet ta vizitojmë më shumë njëri-tjetrin. Është tjetër përvoja personale dhe tjetër ajo çka lexoni apo dëgjoni nga të tjerët.
Ndaj ftoj shqipëtarët që kur të vizitojnë Italinë, të ruajnë një vend për rajonet ku ndodhen arbëreshët.
Në këtë kontekst, ka ardhur koha që shkollat shqiptare të jenë aktive për binjakëzimin me shkollat e arbëreshëve. Kjo do t’i shërbente njohjes dhe edukimit të brezave të rinj me kulturën dhe do të krijonte lidhje ndërpersonale me arbëreshët.
Natyrisht, një marrëdhënie e strukturuar duhet të përfshijë të gjithë aktorët në Shqipëri dhe Itali, si: institucionet akademike, shoqërinë civile, organe të pushtetit vendor dhe qendror, si dhe aktorë të jetës së përditshme kulturore arbëreshe, sepse sfidat janë të tilla që kërkojnë bashkëpunim dhe bashkërendim.
Krijimi i Qendrës për Studime dhe Publikime për Arbëreshët ishte një hap në drejtimin e duhur. Në bashkëpunim me Institutin e Historisë, Akademinë e Shkencave dhe institucione akademike simotra italiane, mekanizma të tillë duhet të krijojnë kushtet për zgjerimin e studimeve albanologjike.
Këtu shfrytëzoj rastin të përgëzoj nismën e qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, si dhe të institucioneve akademike të dy vendeve për kandidimin e riteve arbëreshe të pranverës, të njohura si ”Moti i Madh” në UNESCO. Dëshiroj të përgëzoj në veçanti profesorët e nderuar Francesco Altimari e Matteo Mandala për përkushtimin në mbledhjen e kësaj trashëgimie.
Natyrisht që në kuadrin e bashkëpunimit, nuk duhet të neglizhohet edhe bashkëpunimi ekonomik. Ai mund dhe duhet të zgjerohet në fusha si: turizmi e kultura, bujqësia dhe industria ushqimore, si dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjelltë.
Bashkëpunimi i ri duhet ta hedhë vështrimin drejt së ardhmes, por nuk duhet të harrojë historinë. Ka ardhur koha që në Shqipëri të kemi një Muze për Arbëreshët, për këtë histori të jashtëzakonshme 600 vjeçare që ja vlen të tregohet e promovohet.
Kjo është një histori suksesi që përcjell besimin në ideale të larta e fisnike që kanë në themel kultivimin e dashurisë për kombin dhe trashëgiminë e tij kulturore.
Në mbyllje besoj se ky samit do të shërbejë si një platformë gjithëpërfshirëse për projekte konkrete në shërbim të forcimit të identitetit tonë kombëtar dhe ruajtjes e përcjelljes së trashëgimisë tonë kulturore ndër breza.
Ju falemnderit!