Banja e Siarinës në Medvegjë, gati e braktisur
Lokale

Banja e Siarinës në Medvegjë, gati e braktisur

10.Sep.2012 22:52
0
Banja dikur ishte me status komune, ndërsa sot me shumë shtëpi të braktisura. Rexhep Abazi, banues në Banjë, tregon se Banja e Siarinës kishte statusin e komunës deri me 1956, me kryetarin e fundit shqiptar, Rrahim Abazi, e nënkryetar Zeqir Zeqiri, dhe atë vit i është hequr statusi komunal, duke e shuar atë dhe strukturat e saj komunale, dhe ia kanë bashkangjitur Medvegjës. Sipas Abazit, Banja ka pasur më shumë shqiptarë, ose 63 për qind nga përbërja etnike e këtij vendbanimi, por tani kanë ndryshuar gjërat, raporton 2lonline. Dikur një vendbanim me gjallëri, ndërsa sot vuan braktisjen, pasi nga rreth 100 familje shqiptare kanë mbetur 12 shtëpi shqiptare dhe 25 familje serbe. Deri me 1999 në Medvegjë, pjesë e së cilës është edhe Banja e Siarinës, kanë jetuar 6 mijë shqiptarë, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002 në këtë komunë janë evidentuar 2883 shjqiptarë, ose 26 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës. Struktura etnike është ndryshuar vazhdimisht, ndërsa regjistrimi i fundit, i mbajtur në nivel të Srbisë, në vjeshtën e vitit të kaluar është bojkotuar nga popullata shqiptare, me vendimin e këshillitarëve shqiptarë të kuvendeve komunale të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Të mbeturit kërkojnë rikthimin e statusit të komunës për Banjën e Siarinës, rikthimin e të dëbuarëve dhe hapjen e pikëkalimit në Kapi të Sfircës. Një banor i zonës turistike të Banjës, i cili jeton në një banesë përdhese prej 30 metra katrorë, të cilën ia ka dhënë dikur shkolla ku ka ai ka punuar, thotë se këtu ndihet një vetmi e madhe, dhe tejet vështirë për të jetuar kur je i vetëm dhe nuk ke me kë e flet një fjalë. Rexhep Abazi, mësues, ka një rrëfim të gjatë dhe, siç shprehet ai, të dhimbshëm për Banjën e Siarinës dhe Medvegjës, dhe këtë tregim ai e pasqyron me dëbimin e shqiptarëve me 1999. E shikon, thotë ai, nuk mund të takosh njeri, sepse është i vogël numri i banorëve të mbetur. U dëbuan nga shtëpitë e tyre, pasi paramilitarët dhe ushtarë e policë u afruan dhe silleshin vërdallë pronave dhe shtëpive shqiptarëve, pothuaj në çdo fshat të Medvegjës ku jetonte popullata shqiptare. "Presioni ndaj shqiptarëve ka qenë i përhershëm, sistematik, por me 1999 ai ishte i drejtpërdrejt, me qëllim që të ndryshohej struktura etnike në favor të serbëve, dhe që këtu të kishte sa më pak shqiptarë", thotë Abazi. Kërkohet rikthimi i statusit të komunës për Banjën e Siarinës Ai tregon se nën presionin e atij viti, 1999-s, Banja pothuaj u braktis e tëra, si edhe fshatra të tjerë, ndërsa banorët u dyndën në Fushë Kosovë, Prishtinë, Matiçan, Hajvali, Gjilan e Kamenicë, dhe nuk u kthyen më për të nisur jetën në pronat dhe shtëpitë e tyre. "Edhe një vit më ka mbetur deri në pensionim, por do ta vazhdojë jetesën këtu, sepse nuk kam një vend më të afërt dhe më intim për jetën time", thotë Abazi. Ai punon mësues në shkollën fillore të Tupallës, një fshat 15 kilometra larg Bajës së Siarinës. Një copë oborr pranë banesës së tij të periudhës socialiste, ai e kishte kthyer në bahçe, ndërsa aty kishte ca dru për ngrohje të mbetura nga viti i shkuar. Planifikonte të bënte turshi nga specat dhe domatet që ka kultivuar këtu. Një xhiro nga shtëpia e Rexhës deri te çezmja "Sneznik" bëhet për 10 minuta, dhe aq kohë mjafton për ta soditur një ambient të bukur, me lumin përmes, dhjetra çezme me ujëra termike dhe gejzerin që nxjerr ujin nga nëntoka. Një avull i pandërprerë uji përvijohet nga stërkalat e gejzerit dhe rrjedhës së ujit nga burimi i ujit të nxehtë jo larg gejzerit, me efekte shëruese. Banja ka hotelin "Gejzer" ku pushuesi apo cilido që kërkon rehabilitim mund të vendoset në të, verë e dimër, në çdo stinë. Dikur njerëzit që takoje aty thoshin se kanë ardhur për ilaç, për shkak të numrit të madh të ujërave termike. Banja dikur ishte me status komune, ndërsa sot me shumë shtëpi të braktisura. Abazi tregon se Banja e Siarinës kishte statusin e komunës deri me 1956, me kryetarin e fundit shqiptar, Rrahim Abazi, e nënkryetar Zeqir Zeqiri, dhe atë vit i është hequr statusi komunal, duke e shuar atë dhe strukturat e saj komunale, dhe ia kanë bashkangjitur Medvegjës. Sipas Abazit, Banja ka pasur më shumë shqiptarë, ose 63 për qind nga përbërja etnike e këtij vendbanimi, por tani kanë ndryshuar gjërat Abazi flet për diskriminim, prefekti i Medvegjës mohon Abazi ka thënë se ka diskriminim të shqiptarëve në punësim, pasi në afërsisht 1700 të punësuar, janë të punësuar 60 shqiptarë, e duhej të ishin 26.8%. Ai ka thënë se ka shprehur pakënaqësi dhe u ka adresuar një listë Kuvendi Komunal të Medvegjës, Ministrisë për Qeverisje Lokale të Republikës së Serbisë, Qeverisë së Republikës së Serbisë, kryetarit të Republikës së Serbisë, Zyrës së OSBE-së në Bujanoc, Ambasadës së SHBA-së në Beograd dhe Ambasadës së Shqiperisë në Beograd, ku përmenden: moszgjedhja e asnjë shqiptari në vende udhëheqëse në tërë komunën dhe në organet e dikasteret e saj, moszgjedhja e drejtorit të shkollës fillore në Tupallë, vetëm pse është shkollë shqipe, që nga viti 2008, mosshpallja e konkurseve për kuadro të kualifikuara në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe, mosangazhimi i asnjë punëtori shqiptar në administratën e shkollave në Banjë të Siarinës, në shkollën fillore në Medvegjë dhe të SHMT në Medvegjë, mosangazhimi i asnjë punëtori shqiptar në administratën e gjendjes civile, mosangazhimi i asnjë shqiptari në Stacionin e Policisë në Medvegjë as në sektorin e dhënjes së dokumenteve të udhëtimit dhe të identifikimit, mos krijimi i kushteve për kthimin e shqiptarëve të zhvendosur, mosangazhimi në rregullimin e infrastrukturës dhe kushteve të tjera për jetesë në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët, me qëllim të vështirësimit të jetesës së njerëzve që aktualisht jetojnë, dhe të atyre që ndoshta do të ktheheshin për të jetuar aty. Abazi ka përmendur edhe mos hapjen e vendkalimit në Kapi në mes të Serbisë dhe Kosovës, ku do të mundësohej lëvizja dhe komunimimi i lirë i popullatës. Ndërkaq, prefekti i Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq, ka thënë se gjthandej ka lëvizje të popullatës, ndërsa ka pranuar se ende ka shpërngulje nga komuna e Medvegjës, mirëpo bëhet fjalë për raste të veçanta. "Ka edhe shpërngulje të serbëve, edhe të shqiptarëve, e njerëzit po vendosin ta lënë Medvegjën duke menduar se do të gjejnë më mirë", është shprehur Drashkoviq. "Në përgjithësi shpërnguljet janë ndalur. Shpresoj që me hapjen e vendeve të reja të punës, dhe me situata të reja do të kemi edhe rrjedhje të banorëve. Ne kemi njerëz që kanë ardhur nga shtetet tjera, si Bosnja dhe Maqedonia, ku punojnë në minierë dhe ata kanë ndërmend të mbeten këtu", ka thënë Drashkoviq. Drashkoviq ka thënë, ndërkaq, se popullata shqiptare e Medvegjës nuk është e diskriminuar, dhe se është e përfaqsuar në të gjitha nivelet komunale ku kanë njerëz të kualifikuar. Ai ka treguar se është bërë një inspektim i vendkalimit në Kapi nga një komision u Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Drashkoviq ka thënë se kjo çështje nuk është në kompetencë të tij dhe ua ka adresuar organeve të larta shtetërore në Beograd. Ai ka treguar se është takuar me kryetarin e Kamenicës, ku së paku tri herë është diskutuar mundësia e hapjes së pikëkalimit në Kapi. mst: Të larguarit barrë e komunave në Kosovë E numri i atyre që kanë lënë Medvegjën, edhe Banjën e Siarinës e fsahtra të tjera është i madh dhe nuk ka ndonjë gatishmëri apo vullnet për kthim. Ragip Ismajli, nga Gërbaci i Medvegjës, i ikur me 1999 së pari në Maqedoni e pastaj në Gjilan, ku ende jeton thotë se nuk mendon të kthehet më në vendlindje. Ai tregon se atje nuk kishte kushte jetese. "Nuk do të kthehet më. Nuk mund të kthehem, sepse nuk kam ku. Shtëpia është rrëzbitur dhe shkatërruar", është shprehur Ismajli. Ky me familje jeton në qytetin e Gjilanit, në banesë private, ndërsa Komuna e Gjilanit ua paguan qiranë e banimit këtij dhe disa familjeve të tjera nga Lugina e Preshevës, e disa sosh kanë përfituar edhe strehim në objektin social të banimit. Në Banjë ende është vapë, dhe ka turistë, kryesisht të moshuar dhe pensionistë, edhe ndonjë shqiptar me probleme shëndetësore. Abazi mendon se nuk mund të ketë një vend më të mirë për jetesë, dhe i fton familjet që t'u kthehen shtëpive të tyre. Ai flet edhe për fshatin e tij, Sfircë, që po ashtu është braktisur. Ndërsa end rrëfimin për Banjën, që dikur, në muajt e verës, duhej pritur në radhë për ujë në krojet "Raj", "Borovac" apo "Sneznik", ai shikon kulmin e banesës së tij me dy dhoma të vogla në Banjë, nëse edhe atij i duhet ndërruar ndonjë qeramidhe, terri zapton luginën e Banjës. Tashmë heshtja është edhe më e madhe. Vetëm oshëtima e rrjedhës së lumit dhe gejzerit mund të thyejë heshtjen e thellë të këtij vendi të qetë. Këtu, në Banjë jeta nis dhe mbaron në heshtje, pak njerëz mund të takosh a të shikosh rrugës së vetme që lidh me Medvegjën dhe majtas me Kosovës nëpër Mutivodë, e në stazat e pjesës turistike përreth gejzerit dhe çezmeve minerale, njerëzit duken vetëm ditëve të ngrohta e rrallëherë në vjeshtën e vonë apo në dimër. Dhe kur shikon një mjedis aq të bukur, pothuaj magjeps, me infrastrukturë të kompletuar turistike, edhe mjekësore, sërish të enden në mendime kujtimet e viteve të shkuara, kur Banja e Siarinës mbipopullohej nga mijëra turistë, që shkonin aty për pushim, relaksim dhe kurim sëmundjesh të ndryshme. Një shqiptar nga Fushë Kosova tha se çdo vit vjen në Banjë, pushon nga 10-15 ditë dhe i bën shumë mirë për shëndet. Ai ishte me gruan, dhe tha se nuk ka asnjë problem. Kishte shkuar me autobus nga Prishtina, i cili mban linjën Prishtinë - Banjë e Sijarinës të hënën dhe të enjten. /N.Buzuku/Titulli.com/  
A do të largohet abetarja mbarëkombëtare nga shkollat shqipe të Luginës?
50 vende të reja pune në Bujanoc dhe Vranjë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration