Lokale
Arifi takim me përfaqësuesit e OKB-së për kthimin e Malësisë së Bujanocit
Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi sot po qëndron në Beograd ku do të takohet me diplomatë dhe zyrtarë të huaj të akredituar në Beograd.
I pari i komunës sot do të qëndrojë në Komisariatin e Lartë për Pakica pranë OKB-së, zyra në Beograd, ku do të kërkojë krijimin e kushteve për kthimin e qytetarëve shqiptarë të cilët janë zhvendosur nga Malësia e Bujanocit.
Siç njofton personeli i zyrës së Arifit, ai sot, përveç kërkesës për kthim të shqiptarëve në komunë të Bujanocit do të zhvillojë edhe disa takime me diplomatë të huaj të akredituar në Beograd.
Fillimisht drejtuesi i kësaj komune do të qëndrojë në ambasadën e Indonezisë me rastin e shënimit të ditës shtetësisë së këtij vendi aziatik.
Duke e pasur rëndësinë dhe peshën e madhe që ka ky shtet në botë e sidomos zhvillimin e hovshëm ekonomik, kryetari Arifi në bisedat e zhvilluara në selinë diplomatike të Indonezisë do të paraqes një pasqyrë të komunës së Bujanocit karshi mundësive për investime në fushën ekonomike dhe atë të infrastrukturës.
Në orët e pasdites, Arifi do të marrë pjesë në një solemnitet në Ambasadën Amerikane kushtuar emërimit të zv/ambasadorit të ri të këtij shteti në Beograd.
Në këtë përfaqësi diplomatike me të cilën Arifi ka raporte të shkëlqyeshme, do të paraqesë zhvillimet e fundit në komunë dhe në përgjithësi në Luginë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!