Arifi përgjigjet: Merruni me punët tuaja, fitoni ndonjë këshilltarë (foto & video)
Në tubimin e listës “Partia Demokratik – Dr.Sc. Nagip Arifi”, i mbajtur në Bilaç, përveç shpalosjes së programit, janë regjistruar edhe porositë kundrejt rivalëve që po garojnë në Zgjedhjet për Këshillë të pakicave shqiptare.
Kryetari i Partisë Demokratike (PD) me seli në Bujanoc, Nagip Arifi, në mbrëmjen e së martës, porositi rivalët që të merren me punët e tyre dhe të mos sulmojnë.
“Nuk do të flasë për investimet, pasi rivalët tanë pasandej po humbin kohë duke më sulmuar. Kështu që, kjo kohë që i ka mbet, më mirë le të merren me punën e vet që të afrohen deri dikund për të marrë ndonjë këshilltar në Këshillin Nacional, sepse janë në largim e sipër”, tha Arifi.
“Ne të gjithë së bashku do të festojmë fitoren më 27 tetor, jam i bindur se ne do të jemi fitues, pasi ne asnjëherë nuk kemi dështuar. Jo rastësisht po e mbajmë numrin 1. Të jesh i pari nuk është lehtë, por të jesh me të parin është krenari”, u shpreh mes tjerash kryetari Arifi.
Kandidati për këshilltarë në Kuvendin e Këshillit Kombëtar, Edmond Isufi, i tha masës, nëse doni një Këshillë më kombëtar se kurrë, atëherë votoni Partinë Demokratike.
“Duhet të vazhdojmë punën tonë, mos t’i dëgjojmë rivalët tanë sepse unë e di se ata kanë siklet, e di që kanë mundi, po nuk e di cili është ilaçi më i mirë, seriozisht unë nuk kam ilaç për ta, vetëm i kisha preferu të pinë një gotë ujë, të freskohen dhe pas 26 tetorit ndoshta i kalon”, u shpreh Isufi.
Bejzad Abdullahu nga Partia Demokratike, e veçoi problemin e arsimit, duke e konsideruar me një rëndësi të veçantë, pasi arsimi është e ardhmja e kombit.
“Presim që Këshilli Nacional t’i japë një prioritet arsimit, pasi Këshilli i deritanishëm njëpartiak është përzier në punët e pushteti lokal, në punët e zgjedhjes së drejtorëve”, tha profesori Bejzad Abdullahu.
Gjatë tubimit të sontëm fjalën e mori edhe Rahim Rahimi, kandidatë për këshilltarë i PD-së nga Bilaçi si dhe Emsale Jahiji, kandidate nga fshati Samolicë.
Lista “Partia Demokratike – Dr.Sc. Nagip Arifi” ditën e mërkurë, fushatën parazgjedhore do ta vazhdojë në fshatin Tërnoc, me tubimi që do të fillojë në orën 19:00.
Po këtë ditë, me fillim në orën 16:00 simpatizantët e PD-së do të jenë pjesë e tubimit përmbyllës të partnerit të koalicionit, Bashkimit Demokratik të Luginës, i cili do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal në Preshevë./Titulli.com/
Program parazgjedhor