Arbenita Bajrami nga Presheva recituesja më e mirë e manifestimit
Në kuadër të manifestimit tradicional “Flakadani i Karadakut 2013” në Viti po zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore. Në garat rajonale të recituesve për nxënësit e shkollave të mesme, vendin e parë e zuri nxënësja e Shkollës së mesme teknike “Presheva”, Arbenita Bajrami.
Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se këtë vit ka qenë një konkurrencë më e fortë se viteve të tjera dhe se kjo ngjarje po merr karakter shumë të fuqishëm në prezantim të cilësisë dhe përfaqësimit të denjë të shkollave të mesme në këtë garë.
Nxënësit e shkollave të mesme të komunave Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Preshevë dhe Viti, kanë marrë pjesë në garën rajonale të recituesve që u mbajt në vazhdën e aktiviteteve kulturore e sportive që po zhvillohen me rastin e Manifestimit tradicional "Flakadani i Karadakut 2013", transmeton rajonipress.
Duke folur për këtë ngjarje kulturore, profesor Sami Hoxhaj në emër të shkollave pjesëmarrëse tha se ky aktivitet është një punë dhe angazhim që duhet vlerësuar lartë, pasi edhe përmes kësaj gare po kujtojmë ata që na krijuan mundësin që ne sot të jemi së bashku për të organizuar aktivitete të ndryshme kulturore. Juria profesionale e përbërë nga profesorët e shkollave pjesëmarrëse, kanë përzgjedhur recituesit më të dalluar.
Vendi i parë i takoi Arbenita Bajramit nga shkolla e mesme teknike "Presheva" nga Presheva, vendin e dytë në bazë të pikëve të grumbulluara e ndanë Malësore Prushi nga shkolla e mesme "Skënderbeu" nga Kaçaniku, Pëllumb Ramadani gjimnazi "Kuvendi i Arbërit"-Ferizaj dhe Xheneta Kastrati nga shkolla e mesme "Zenel Hajdini"-Gjilan. Kurse vendi i tretë u takoi Elbasan Sahitit nga shkolla e Preshevës dhe Fetije Osmani nga gjimnazi "Kuvendi i Lezhës" – Viti.
Në emër të jurisë profesionale, profesoresha Shqipe Siarina tha se ishte një garë e fortë mes nxënësve dhe se ky aktivitet për çdo vit po përforcohet me cilësi dhe angazhim më të madh të pjesëmarrësve. Për më të dalluarit, organizatorët ndanë mirënjohje./Titulli.com/