Ambasadori britanik në Serbi: Të merren parasysh rreziqet që mund të sjell shkëmbimi i territoreve
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Keefe, ka deklaruar se duhet pasur kujdes sa i përket ndryshimit të kufijve apo të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Keefe ka paralajmëruar se lidhur me këtë çështje duhet të merren parasysh të gjitha rreziqet dhe pasojat, shkruajnë mediat serbe, transmeton Telegrafi.
“Çfarëdo ideje që del nga dialogu i zhvilluar mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë real dhe i arritshëm”, ka deklaruar ambasadori britanik në Serbi, duke shtuar se duhet të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përparimin në rajon.
Ndryshe presidenti i Kosovës së fundmi ka prezantuar idenë e korrigjimit të kufijve, duke thënë se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës.
Kjo ide nuk është sqaruar më shumë nga Thaçi, por sipas tij kjo nuk nënkupton ndarje dhe shkëmbim të territoreve, por vetëm korrigjim.
Lidhur me këtë ditë më parë ka folur edhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, i cili tha se çfarëdo marrëveshje nuk duhet ta rrezikojë stabilitetin rajonal.