Ambasadori amerikan në Serbi, Hill: Urgjenca tash është zgjidhja e çështjes së Asociacionit
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se Beogradi dhe Prishtina treguan në takimin në Bruksel se janë “shumë seriozë për të ecur përpara” dhe se çështja e Asociacionit tw komunave me shumicë serbe duhet të zgjidhet më urgjentisht.
“Mendoj se është më urgjente të zgjidhet çështja e Asociacionit dhe për këtë ka disa arsye, njëra prej tyre është se kjo çështje ka 10 vjet, dhe së dyti, mendoj se nëse nis kjo, njerëzit (serbët në Kosovë) do të kthehen në institucione. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është që të qetësohet e gjithë situata, sepse është e nevojshme”, tha Hill për agjencinë Beta, transmeton Demokracia.com.
Ai shtoi se duhet ende shumë punë për të bërë, por pjesa më e rëndësishme e punës është zbatimi i marrëveshjes.
Hill tha gjithashtu se të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është çështja e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Dhe me rëndësi vjen urgjenca, ata duhet ta zgjidhin atë,” tha ai.
Siç ka thënë ai, Bashkimi Evropian ka investuar shumë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që ka “rëndësi historike”.
“Është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në Evropë tani, nuk mendoj se duam të ecim me ritëm të ngadaltë, por sa më shpejt”, theksoi ambasadori amerikan.