Aksioni ndërtimi i 100 shtëpive fillon në Medvegjë
Si pjesë e aksionit të Fondit Humanitar për Luginën e Preshevës për ndërtimin e 100 shtëpive, në Medvegjë janë vënë gurthemelet për ndërtimin e dy shtëpive shqiptare të familjes Pajaziti dhe Murati nga fshati Sjarinë dhe Gërrbac.
Nënkryetari i Fondit Humnaitar, Ahmet Bektashi tha se analiza për ndërtim të shtëpive është bërë me 26 dhjetor ndërsa gjendjen e familjeve të cilat kanë aplikuar nga Medvegja e vlerësoi si të mjerueshme, duke shtuar se ka shumë raste të dhimbshme.
"Është një popullatë shumë e munduar me gjendje ekonomike me gjendje sociale, ana jonë është mjaft në rrezik por këtu ka më tepër nevojë sesa tek ne", tha Bektashi.
Nga Medvegja ka pasur 27 aplikime për ndërtim të shtëpive, një nga kushtet është që përfituesit e ndihmave, rastet më prioritare të kenë ngastrën e siguruar për ndërtim, kemi mësuar nga sekretari i Fondit, Adnan Imeri.
Sipas tij, aq sa ka mjete në dispozicion, aq kërkesa të aplikuesve do të plotësohen./Me press/